Arbëri

Komunës së Ferizajt i bllokohen xhirollogaritë

Mësimdhënësit në Komunën e Ferizajt vazhdojnë t’i kërkojnë pagat jubilare, pagesat e udhëtimit dhe shujtat ditore, të cilat u takojnë sipas Kontratës Kolektive.

Kjo ka bërë që shumica prej tyre t’u drejtohen përmbaruesve privatë. Kësaj kategorie Komuna iu ka borxhe deri 3.5 milionë euro.

“Ne kërkojmë që të zbatohet kontrata kolektive nga komuna. Kërkesë e kahershme që është e mësimdhënësve, jo vetëm e komunës sonë, por edhe mbarë Kosovës”, ka deklaruar Mustafë Rexhepi, mësimdhënës.

Ndërkohë, kryetari i sindikatës së Arsimit në Ferizaj, Fejzullah Vranovci, thotë se i vjen keq për atë që ka ndodhur, porse nuk është faji i mësimdhënësve.

“Është faji i qeverisë që e ka planifikuar buxhetin, apo kuvendi komunal si i ka planifikuar ne nuk e dimë dhe nuk kemi të drejtë të përzihemi në këtë çështje”, tha ai.

Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt, ka konfirmuar bllokimin e llogarive.

“Në këto obligime, Komuna e Ferizajt ka hyrë në obligime financiare deri në 3.5 milion eurosh ndaj kësaj kategorie dhe si pasojë e kësaj të gjithë lëndët kanë kaluar në përmbarim dhe ministria e financave e ka parë të rrugës që të bën bllokimin e llogarisë së komunës”, është shprehur Marevci.

Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave ka thënë se së shpejti do të kërkojnë takim me kryeministrin Kurti për të debatuar rreth kësaj çështjeje. Ka theksuar se padrejtësisht të gjitha komunave të Kosovës i është bartur kjo barrë e pagesave.

Edhe Komuna e Ferizajt ka kërkuar mbështetje nga niveli qendror për ta tejkaluar këtë çështje.