Arbëri

Komunës së Ferizajt i bllokohen llogaritë, të sëmurët rëndë pa mbështetje

Që nga viti i kaluar, komuna po përballet me bllokimin e xhirollogarive nga përmbaruesit privatë, si pasojë e mospagesave të ndryshme për shujta të mësimdhënësve dhe të kategorive të tjera. Si rrjedhojë, përmbaruesit kanë tërhequr prej tyre edhe rreth 200 mijë eurot e parapara si mbështetje për personat që vuajnë nga sëmundjet e rënda, si dhe për subvencionet për lindje të fëmijëve

Ferizaj, 13 mars - Komuna e Ferizajt që nga viti i kaluar po përballet me bllokimin e xhirollogarive nga përmbaruesit privatë, si pasojë e mospagesave të ndryshme për shujta të mësimdhënësve dhe të kategorive të tjera.

Si rrjedhojë, përmbaruesit kanë tërhequr prej tyre edhe rreth 200 mijë eurot e parapara si mbështetje për personat që vuajnë nga sëmundjet e rënda, si dhe për subvencionet për lindje të fëmijëve.

Organizata “Lëvizja për Demokraci”, pas ankesave të ngritura nga personat me sëmundje të rënda, ka realizuar një hulumtim rreth çështjes.

“Nga kjo kanë pësuar edhe qytetarët me kushte të rënda ekonomike, të cilët janë të sëmurë me sëmundje të ndryshme, sidomos ata që janë të sëmurë me kancer. Andaj ata nuk kanë pasur mundësi që t’i marrin mjetet e tyre. Në bazë të hulumtimeve që kemi kryer, ka persona të cilët kanë vdekur dhe nuk kanë arritur që t’i marrin mjetet të cilat janë ndarë nga Komuna e Ferizajt”, ka deklaruar Mexhid Ramusa nga OJQ-ja “Lëvizja për Demokraci”.

Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt, ka thënë se kjo komunë, që nga gushti i vitit të shkuar, ka qenë e vetmja që ka pasur telashe të tilla buxhetore, si pasojë e mospagesave të tilla.

Ai ka bërë të ditur se një pjesë e xhirollogarive të Komunës tashmë janë zhbllokuar, gjë që, sipas tij, do të mundësojë që së shpejti të ekzekutohen pagesat për këto kategori.

“Pavarësisht kërkesave që i ka bërë Drejtoria e Financave për alokimin e subvencioneve, ende nuk është marrë ndonjë vendim që t’i alokojnë subvencionet për t’i bërë pagesat e këtyre kategorive. Ne po presim që në muajin mars të kemi ndonjë sinjal pozitiv, t’i alokojnë këto mjete dhe të bëjmë pagesën e këtyre kategorive”, ka thënë Marevci.

Sipas statistikave, në Komunën e Ferizajt janë të regjistruar rreth 200 persona me sëmundje të kancerit, të cilët janë në pritje të përkrahjes së institucioneve komunale.