Zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë, Bedri Dobra, ndaj të cilit Prokuroria Speciale kohë më parë ngriti aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në një tender, nga janari është emëruar drejtor në Komunën e Vushtrrisë. Në ministri thanë se nuk posedojnë informacion zyrtar mbi aktakuzën, ndërsa konfirmuan që zyrtari e pezulloi marrëdhënien e punës pas marrjes së pozitës së re në nivel komunal
Zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë, ndaj të cilit Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar në një tender, që nga janari e ka pezulluar punën e tij në dikasterin qeveritar.
Në Ministri thanë të mos kenë informacion për aktakuzën ndaj zyrtarit Bedri Dobra, porse në përgjigje për KOHËN bënë të ditur se ai e ka pezulluar marrëdhënien e punës në këtë dikaster, pasi u emërua drejtor në Komunë të Vushtrrisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ministria nuk posedon informacion zyrtar në këtë drejtim. Gjithashtu, ju informojmë se z. Bedri Dobra, me datë 08.01.2026, ka pezulluar marrëdhënien e punës në MBPZhR, në përputhje me detyrimet ligjore dhe administrative, për shkak të emërimit të tij në pozitën e Drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Vushtrrisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
KOHA pyeti në Komunën e Vushtrrisë nëse kanë dijeni për ngritjen e aktakuzës ndaj drejtorit të porsaemëruar, porse nuk mori përgjigje nga e mërkura e shkuar. Pyetjes nuk iu përgjigj as kryetari i Komunës, Ferit Idrizi dhe as vetë zyrtari Dobra.
Aktakuzën ndaj Dobrës dhe pronarit të kompanisë “Limit Project”, L.Z., Prokuroria Speciale e ngriti javën e shkuar nën dyshimin për veprat penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, duke i shkaktuar dëm buxhetit prej rreth 36 mijë eurosh.
Aktakuza u ngrit pas hulumtimit të KOHËS që zbuloi se Ministria e Bujqësisë pagoi 66 mijë euro për largimin e inventarit nga objekti ku dikur e pati selinë AAK-ja, e në një pjesë të të cilit nuk pati fare inventar.
Sipas aktakuzës, Dobra, në cilësinë e menaxherit të kontratës, gjatë periudhës 19 gusht-31 dhjetor 2024 e miratoi dhe e vërtetoi realizimin e plotë të punimeve dhe pagesave për largimin e inventarit, në kundërshtim me ligjin.
Aty konstatohet se pothuajse shumica nga 33 hapësirat ishin pa inventar, para fillimit të punimeve.
“Rrjedhimisht pozicioni është realizuar vetëm pjesërisht, vetëm në hapësirat ku realisht ka ekzistuar inventari, në kundërshtim me nenin 28 të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës, i cili e obligon menaxherin e kontratës që të verifikojë realisht punët e kryera, të vërtetojë pagesat vetëm për punë të përfunduara realisht”, thuhet në aktakuzë.
Videoja që u përdor si provë nga Prokuroria, e të cilën e siguroi KOHA, dëshmon se shumica e hapësirave në katin e tretë dhe në bodrumin e objektit ishin të zbrazëta.
KOHA raportoi se si Ministria e Bujqësisë pagoi rreth 48 mijë euro më shumë sesa çmim i paraparë nga kompania projektuese për largimin e inventarit nga objekti në “Ulpianë”, në një pjesë të të cilit për vite e pati selinë AAK-ja.