Arbëri

Komuna e Ferizajt ngec në pagesa për 300 punëtorë shëndetësorë

Telashet me borxhe kanë bërë që për më shumë se gjashtë muaj Komuna e Ferizajt të përballet me ngecje në ekzekutimin e pagesave për rreth 300 punëtorët shëndetësorë. Rreth kësaj çështjeje kanë reaguar punëtorët shëndetësorë, por edhe opozita

Tash e mbi gjashtë muaj, Komuna e Ferizajt ka ngecur në pagesat për 300 punëtorët shëndetësorë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, që kanë marrëveshje nëpërmjet “Caritas” Kosovës.

Gjithë bllokimi ka ndodhur shkaku se komuna është zhytur në borxhe prej 3.5 milionë euro, si pasojë e të cilave përmbaruesit privatë po ua marrin mjetet nëpër kategori të ndryshme.

Rreth kësaj çështjeje kanë reaguar punonjësit që prapa kamerës kanë thënë se komuna duhet të gjejë zgjidhje alternative për t’i siguruar pagat e tyre.

E nënshkruesi i kontratës së këtyre punëtorëve, mjeku Xhevdet Haxhidemaj, ka thënë se punëtorët shëndetësorë kanë dhënë kontribut të madh në shërbim të qytetarëve edhe gjatë kohës së pandemisë. Për këtë arsye, ai ka kërkuar që pagat e tyre të paguhen me urgjencë.

“Konsideroj se është arsyetuar plotësisht angazhimi i tyre gjatë kësaj kohe dhe më të vërtetë, ky kontingjent i punëtorëve ka bërë një punë të jashtëzakonshme sa i përket ofrimit të shërbimit të pacientëve, sidomos pacientët të cilët janë trajtuar në shtëpi”, ka thënë ai.

Rreth kësaj çështjeje, shqetësime kanë ngritur edhe kuvendarët në mbledhjen e fundit.

“Gjatë këtyre ditëve kemi pasur takime me punëtorët e ‘Caritas’ Kosova. Këta punëtorë kanë shprehur shqetësimet e tyre se që nga muaji korrik nuk janë paguar dhe shumë prej tyre varen nga kjo pagë. Ne kërkojmë urgjentisht nga kryetari Aliu që ta shqyrtojë këtë problem sepse këta punëtorë nuk kanë arsyeje se si ta festojnë festën e Vitit të Ri sepse thashë se shumë nga ta varën nga kjo pagë e që nga muaji korrik këta punëtor nuk janë pagur nga komuna e Ferizajt”, ka thënë Amir Rexhepi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në anën tjetër Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt, ka thënë se komuna është duke i shqyrtuar mundësitë për t’i kryer këto pagesa. Porse ka kërkuar mbështetje edhe nga niveli qendror.

“Fatkeqësisht, në kuadër të këtyre pagesave nuk është mundur të bëhet asnjë pagesë edhe përmes punëtorëve të angazhuar me kontratën e Caritas –Kosova dhe po shpresojmë shumë se në vitin e ardhshëm ministria e Financave të ndërmerr hapa që së paku për lirimin e përkohshëm ose në bazë të procedurave që kanë ministria e financave, në mënyrë që ne të gjejmë alternativa për t’i bërë pagesat e këtyre punëtorëve”, ka thënë ai.

Nga komuna janë zotuar se procedurat e pagesave edhe për disa operatorë ekonomikë do të përfundojnë që nga fillimi i vitit të ardhshëm.