Fermerë të Komunës së Rahovecit janë ankuar se për dëmet e shkaktuara në kulturat e tyre bujqësore, pas vërshimeve të vitit të kaluar, nuk janë vlerësuar dhe kompensuar drejt. Ata fajësojnë komunën për humbje të dëshmive. Në Drejtorinë për Bujqësi thonë se Ministria ka refuzuar në fazën e parë 326 kërkesa të fermerëve.
Vërshimet e shtatorit të vitit të kaluar ia kanë përmbytur 1 hektar e 40 ari sipërfaqe të mbjellë me speca fermerit Xhevdet Berisha, nga fshati Denjë i Rahovecit.
Uji i vërshoi edhe 90 ari qepë të mbjella në një sipërfaqe tjetër të tokës.
Ndonëse në raportin e vlerësimit të komisionit komunal për dëme të shkaktuara në bujqësi, dëmi total i vlerësuar në sipërfaqet e mbjella me qepë dhe speca figuron të jetë mbi 6 mijë e 500 euro, Berisha tha të shtunën se është kompensuar vetëm për qepë, me 1 mijë e 966 euro.
Ai ngre dyshime për mosvlerësim të duhur dhe humbje të dëshmive nga Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Rahovecit.
“I kanë humbur ato dëshmi. Edhe si përfundim Ministria normal që i ka refuzuar, se nuk ka pasur dëshmi. Shkaku i mungesës së dëshmive është edhe refuzimi”, ka thënë Berisha. “Këta të komunës deri më tash vazhdojnë të na e mbajnë të fshehur atë. Nuk e pranojnë që jemi të refuzuar. Këtë e kemi prej anës së Ministrisë, këtë informacion që definitivisht është e refuzuar kjo pjesë, kjo sipërfaqe”.
Problem të njëjtë thotë të ketë edhe Enver Morina nga fshati Dobidol i kësaj komune. Ai tregon se për dëmet e shkaktuara në 7 ari sipërfaqe të mbjella me speca nuk është kompensuar fare.
“Specat m’i ka marrë uji në shtator. M’i ka prishur. Kompensimi ende nuk na u ka bërë. Po shkojmë në Rahovec në Drejtorinë e Bujqësisë, po na thonë se janë pranuar. Këndej fondet nuk po dalin kurrkund. Thirrëm atje në Prishtinë – thonë nuk ka kurrfarë dokumente”, thotë Morina. “Nuk e dimë as ku të ankohemi e çka të bëjmë”.
Berat Duraku, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, thotë se në fazën e parë Ministria e Bujqësisë ka refuzuar kërkesat e 326 fermerëve, nga 540 në total sa janë të regjistruar në raportin e hartuar nga Komuna.
“Ne kur e kemi dorëzuar raportin, pasi e kemi bërë raportin, atëherë ka nxjerrë udhëzim Ministria, ku kanë kërkuar të iu qëndrojmë strikt atyre dokumenteve që i kanë kërkuar dhe mbi bazën e asaj na i kanë refuzuar një numër të madh të fermerëve, që i bie në fazën e parë na i ka pranuar vetëm 214 fermerë”, ka thënë ai. “326 na i kanë refuzuar. Ne si komunë kemi bërë ankesë, kemi kërkuar dëshmi shtesë dhe prej 326 edhe një pjesë e kanë kaluar e akoma nuk e dimë nëse janë kompensuar ose jo”.
E në Ministrinë e Bujqësisë thanë se Komuna e Rahovecit ka parashtruar 333 ankesa, prej të cilave 220 janë aprovuar dhe 78 janë refuzuar, pasi disa prej tyre kanë qenë apo janë paraqitur me dy kërkesa.
“Komisioni i ankesave ka përfunduar punën e tij dhe raportin përfundimtar, ndërsa të dyja komisionet bashkërisht janë duke punuar në përgatitjen e listave të fermerëve që janë kualifikuar dhe ata që nuk janë kualifikuar, sipas raportit të komisionit të ankesave. Pas përfundimit të listave, raporti i ankesave me listat e fermerëve do të dërgohet në Qeveri për votim dhe pasi të kemi vendimin e Qeverisë, do të procesohen pagesat për fermerët”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë.
Në Ministrinë e Bujqësisë nuk kanë treguar nëse telashe të ngjashme janë hasur edhe në komuna të tjera.