Arbëri

Kompania “Pastërtia” në Ferizaj dështon t’i menaxhojë mbeturinat në dhjetëra fshatra

Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj prej më shumë se një muaj ka dështuar t’i menaxhoi mbeturinat në qytet dhe në disa fshatra.

Reagime më të ashpra rreth kësaj çështje janë shfaqur nga banorët e fshatrave Dardani, Zllatar, Mirosal dhe në disa fshatra të tjera, derisa sipas banorëve që nga muaji maj, kompania “Pastërtia” nuk i ka kryer shërbimet e mbeturinave për të cilat qytetarët janë taksapagues të rregullt.

Ndërkohë, javë më parë në këtë kompani pati filluar edhe një grevë nga punonjësit shkaku i pakënaqësisë së pagave dhe kushteve të punës.

Xhevat Sallahu, përfaqësues i fshatit Zllatar, ka thënë se që nga muaji maj kompania nuk ka arritur t’i kryej shërbimet e mbeturinave në dhjetëra fshatra.

“Prej një muaj nuk po i marrin mbeturinat kompania “Pastertia”, ndërkohë kundërmimi po e vështirëson jetesën e banorëve në dhjetëra fshatra. Ne jemi taksapagues të rregullt, kurse çështja e grevave të punëtorëve dhe problem tjera të tyre neve nuk na interesojnë. Pra, ne banorët e kësaj zone të komunës së Ferizajt kërkojmë shërbime ashtu siç po i kërkojnë edhe pagesat”, ka thënë Sallahu.

Ai bën me dije se banorët kanë bërë ankesa në Komunë dhe në kompaninë “Pastërtia” por nuk janë shqyrtuar ato.

Po ashtu edhe KOHA ka provuar të marrë një deklaratë nga shefi i kompanisë “Pastërtia” Basri Syla, por ai nuk e ka hapur telefonin. I paqasshëm ka qenë edhe drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt Arben Halili.

Ndërkohë, burime brenda kompanisë “Pastërtia” i kanë thënë KOHWS se po përballen me makineri të vjetra në të cilat shpeshherë po duhet të intervenojnë. “I kemi tre kamion të vjetër të cilët për çdo ditë po mbesin në rrugë si pasojë e defekteve, prandaj mbeturinat kanë mbet në disa fshatra dhe lagje.

Defektet e shpeshta po paraqesin vështirësi në kryerjen e shërbimeve për mbeturina sepse kamionët me ditë të tëra qëndrojnë nëpër servise shkaku i defekteve”, ka thënë ky burim me kusht që mos t’i publikohej identiteti.

Por kryetari i Komunës Agim Aliu, para pak ditësh, gjatë prezantimit të raportit gjashtë mujor të këtij viti, ka thënë se kanë iniciuar procedura për ta mbështetur kompaninë me disa makineri të reja. “Kemi ndërtuar objektin e ri për kompaninë e mbeturinave “Pastërtia” i cili finalizohet së shpejti, po ashtu kemi blerë edhe pajisje të reja për bartjen e mbeturinave me qëllim që të lehtësohet sa më shumë puna për shërbime ndaj qytetarëve”, pati thënë midis të tjerash Aliu.