Arbëri

Kompania “Bifurkacioni” akuzohet për dëmtim të rrugëve

Gjatë muajve të fundit Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka nisur të shqiptojë gjoba me nga 500 euro ndaj kompanisë së ujësjellësit “Bifurkacioni” sa herë që ata intervenojnë për rregullimin e gypave nëpër rrugë.

Përplasjet ndërmjet këtyre dy institucioneve kanë nisur pasi që kjo kompani ka dërguar tek përmbaruesi disa lëndë të shkollave për mospagesa të ujit.

Komuna e Ferizajt, në fund të vitit ka vendosur disa kritere ndaj kësaj kompanie me arsyetim se nuk ka të drejtë ta dëmtojë pronën publike pa pasur leje nga komuna.

“Komuna e Ferizajt më saktësisht inspektorati e ka dërguar një vendim më 18 tetor që në asnjë pjesë të qytetit nuk guxojmë ta premë asfaltin pa marrë leje paraprakisht. Por natyra e punës sonë shpeshherë kërkon që ndoshta ne duhet të intervenojmë me një pjesë të qytetit për shkak se nuk na jepet afat për të marrë pëlqimin ose me bë kërkesë”, ka thënë Nazif Asllani, drejtor i kompanisë rajonale “Bifurkacioni”.

Asllani ka bërë me dije se sa herë që është punuar nëpër rrugë të ndryshme kompania e ka kthyer infrastrukturën në gjendjen e mëparshme.

E zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, ka thënë se çdo punim që kryhet në rrugë duhet të ketë leje paraprakisht nga Komuna.

“Ka qenë vetëm një dënim sa i përket ndërmarrjes publike “Bifurkacioni” dhe ai dënim është në fund të këtij viti dhe sipas njoftimit që ka bërë zyra e inspektoratit më datë 13.12.2021 ju ka paralajmërua “Bifurkacionit” sepse kemi pasur ankesa të shumta prej qytetarëve për punën e gropave nëpër qytet dhe nuk po sanohen dhe nuk po kthehen në gjendjen e mëparshme”, ka thënë Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt.

Rreth kësaj çështjeje kanë reaguar edhe monitoruesit e Komunës, të cilët kanë kërkuar që të gjendet një zgjidhje.

https://video.gjirafa.com/embed/kompania-bifurkacioni-akuzohet-per-demtim-te-rrugeve