Edhe pse nuk i ka plotësuar kushtet për vazhdimin e punës, Komisioni për të drejtat e njeriut ka vendosur ta mbajë takimin e planifikuar me Sindikatën e Policisë.
Kryetarja e këtij komisionit, Duda Balje, ka thënë se anëtarët kanë vendosur të dëgjojnë sindikatën edhe pse nuk kanë kushte për mbledhje.
“Sot ne kemi planifikuar të mbajmë takim me Komisionin për të drejtat e njeriut, me sindikatën e Policisë. Me Rregullore të Kuvendit nuk kemi plotësuar kushtet për vazhdim të mbledhjes sepse nuk ka kuorum. Por kemi bë marrëveshje me deputetët që të respektojmë sindikatën dhe të dëgjojmë prej juve peticionin që keni sjellë te ne. Ne nuk kemi takim zyrtar, nuk po duam mëditje as kurrgjë, po dëshirojmë me vullnet personal të ju dëgjojmë”, ka thënë ajo.
Sindikata ka disa kërkesa që përfshijnë Ligjin e pagave, shtesat e rrezikshmërisë në punë, shtesat për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për staf civil, shujta mujore, paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës, sigurimi shëndetësor dhe jetësor, e të tjera.
Për këtë policët kanë nënshkruar edhe një peticion.
Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, ka thënë se e kanë nënshkruar këtë peticion me qëllim që policët t’i pasqyrojnë kërkesat e tyre.
“Ai është nënshkruar nga 63 për qind e pjesëtarëve, apo 5623 nënshkrime, pjesa tjetër nuk e ka nënshkruar për arsye operacionale. Zyrtari policor i Kosovës kur del në pension merr vetëm pension të pleqërisë. Jemi policia me moshën më të shtyrë”, është shprehur Zeqiri.
Ai ka thënë se prej kur ka hyrë në fuqi Ligji i ri i pagave, policët nuk kanë marrë shtesa për rrezikshmëri.
Ai ka thënë se kanë pasur vërejtje edhe sa i përket koeficienteve që janë caktuar në ligjin e pagave për stafin civil edhe të uniformuar.