Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisioni në Hagë po trajton 15 mostra që dyshohet se u përkasin të zhdukurve gjatë luftës

mostra

Që nga dhjetori në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Hagë janë duke u përpunuar 15 mostra të mbetjeve kockore, që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky komision bëri të ditur se gjatë 2025-tës janë pranuar dhe përpunuar 58 mostra post-mortem nga mbetje njerëzore dhe 172 mostra referuese të ADN-së të mbledhura nga anëtarët e familjeve të personave të zhdukur

Laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, që ndodhen në Hagë, i kanë në trajtim 15 mostra kockore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Shumica nga to janë dorëzuar sivjet nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ndërsa një vitin e shkuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një përgjigje të shkruar për KOHËN, ky komision bëri të ditur se gjatë 2025-tës janë pranuar dhe përpunuar 58 mostra post-mortem nga mbetje njerëzore dhe 172 mostra referuese të ADN-së të mbledhura nga anëtarët e familjeve të personave të zhdukur.

“Ky proces ka rezultuar me 54 raporte për përputhje të ADN-së, të cilat ICMP ia ka dorëzuar Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur për të mbështetur procesin e identifikimit”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

Komisioni bëri të ditur se nuk ekziston një afat i vetëm kohor brenda të cilit mund të sigurohen rezultatet për mostrat që trajtohen. Bazuar në përgjigje, procesi mund të zgjasë më shumë kur ADN-ja në mbetjet skeletore është shumë e degraduar për shkak të kalimit të kohës dhe kushteve mjedisore.

“Në raste të tilla, mund të kërkohen teste të shumta për të siguruar një profil të përdorshëm ADN-je, dhe mund të jetë e nevojshme të merren mostra shtesë ose të rishqyrtohen mostrat e testuara më parë”, thuhet në përgjigjen e komisionit.

Sipas Komisionit me seli në Hagë, përpunimi i mostrave zgjat më shumë kur mbetjet përbëhen nga pjesë të pjesshme ose të përziera trupore të nxjerra nga varret, dhe kërkohet testimi i ADN-së në disa kocka për të ri-asociuar saktë elementet skeletore që i përkasin të njëjtit individ.

“Nëse nuk ka mjaftueshëm mostra referuese të ADN-së nga të afërmit për të mbështetur një përputhje të besueshme, mund të jetë e nevojshme të gjenden anëtarë të tjerë të familjes dhe t’u kërkohet të japin mostra. Në disa raste, familjet e personave të zhdukur refuzojnë të japin mostra referuese dhe për këtë arsye përputhja nuk mund të kryhet”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

Në Kosovë figurojnë edhe rreth 1.600 persona të pagjetur, të zhdukur më dhunë në luftën e rreth tri dekadave më parë. Autoritetet e Kosovës janë duke zhvilluar kërkime në disa lokacione.

Në mesin e mostrave të fundit që Instituti i Mjekësisë Ligjore i ka përcjellë për në Hagë janë mbetjet kockore të të paktën tre individëve, që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit, të gjetura gjatë gërmimeve të nisura që nga dhjetori i vjetëm në Përzhinë të Rahovecit.

Procesi i gërmimeve vazhdon ende në këtë lokacion, pasi autoritetet besojnë se aty mund të gjenden edhe mbetje mortore të së paku tetë viktimave të tjera të luftës.