Arbëri

Komisioni Evropian i kërkon Kuvendit t’i ndëshkojë deputetët që mungojnë pa arsye

Mungesa e kuorumit vendimmarrës, mungesa e konsensusit mes pushtetit dhe opozitës, grumbullimi i pikave në seanca, bojkoti i Listës Serbe, diskutimet e tensionuara e gjuha nxitëse, janë disa nga gjetjet për Kuvendin, të evidentuara në Raportin e Progresit. Në të i kërkohet Kuvendit t’i ndëshkojë deputetët që mungojnë pa arsye.

Kuvendi i Kosovës nuk ka dalë më mirë se vitin e kaluar, në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Mungesa e kuorumit vendimmarrës, mungesa e konsensusit mes pushtetit dhe opozitës, grumbullimi i pikave në seanca, bojkoti i Listës Serbe, diskutimet e tensionuara e gjuha nxitëse, janë disa nga gjetjet në Raport.

Në dokument shprehen kritika për deputetët e partive që përbëjnë koalicionin qeveritar.

“Mungesa e kuorumit vendimmarrës, pavarësisht se Qeveria e ka shumicën në Kuvend, çoi në një numër të madh pikash në rendin e ditës dhe seancat parlamentare zvarriten me muaj të tërë, duke shkaktuar vonesa në miratimin e reformave të lidhura me BE-në dhe në bërjen e emërimeve”, thuhet në Raportin e Progresit.

Monitoruesi i punës së Kuvendit, Naim Jakaj, thotë se pushteti duhet të dialogojë më tepër me opozitën në mënyrë që puna e legjislativit të mos zvarritet, dhe Raporti i Progresit të mos e vendosë për vite me radhë këtë çështje si problematike.

“Shumica parlamentare përdor numra të cilët i ka, shumicën e nevojshme, si arrogancë për t’i kaluar plot projektligje pa konsultim me opozitën dhe në anën tjetër ... për projektligje me rëndësi sic është kodi civil, shumica parlamentare, nuk mbahet mend se i ka thirrur kryetarët e grupeve parlamentare opozitare në mënyrë që të kalojë ai projektligj”, ka thënë Jakaj.

Komisioni Evropian i rekomandoi Kuvendit që të marrë masa ndëshkuese ndaj deputetëve të cilët mungojnë pa arsye në seanca.

“Mungesa, ardhja me vonesë dhe largimi i hershëm nga seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve janë bërë praktikë e zakonshme. Rregullores së re të Punës i mungojnë masat për vendosjen e gjobave financiare (ose të tjera) për mungesë të pajustifikuar në seancat parlamentare”, thuhet në Raportin e Progresit.

Në raporti u dha vërejtje edhe për deputetët serbë të cilët bojkotojnë punën e Kuvendit dhe në seanca shfaqen vetëm një herë në 6 muaj, sa për ta vazhduar mandatin e tyre. Aty theksohet se kjo ka krijuar si pasojë bllokimin e miratimit të ligjeve me interes vital.

Por Jakaj thotë se për këtë përgjegjësi ka edhe kryetari Kuvendit.

“Do të duhej që këtë çështje ta bëjë kryetari i Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të konsultohet me ta, t’i thërrasë në takim dhe ta shohë se si duhet ardhur deri te një zgjidhje që ata të marrin pjesë në votim”, ka thënë Jakaj.

Në raportin e Komisionit Evropian i është kërkuar Kuvendit që ta forcojë funksionin e tij mbikëqyrës ndaj Qeverisë dhe institucioneve të pavarura.