Arbëri

Kolona të gjata të kamionëve në Jarinjë në pritje për të hyrë në Kosovë

Automjetet nga Serbia nuk janë lejuar të futen në Kosovë të dielën, në pritje të zbatimit të vendimit për letërngjitës, në pikëkalimin në Jarinjë.

Policët kufitarë kanë bërë të ditur për KOHËN se janë të furnizuar edhe me letra prova, sipas vendimit për reciprocitet, por që deri tash nuk kanë pasur nevojë t’ia vendosin dikujt.

Ndërkohë, nga ana e Serbisë ka kolonë të gjatë të kamionëve, që po presin për të hyrë nesër në Kosovë.

Qarkullimi veturave nga Kosova për në Serbi nuk është ndalur. KFOR-i është stacionuar me dy patrulla në vendin ku kanë qenë pjesëtarët e Njësisë Speciale deri ditën e shtunë. Po ashtu, aty janë edhe policët kufitarë të Kosovës.

Të shtunën është zbatuar pika e parë e marrëveshjes për targat të arritur në Bruksel tri ditë më parë, mes Kosovës e Serbisë.

Sipas kësaj pike, forcat e Njësisë Speciale të vendosura në Jarinjë e Bërnjak do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë më 2 tetor, nga ora 8:00 dhe kjo do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojnë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

Ndërkohë nga e hëna, nis zbatimi i pikës së dytë të marrëveshjes e cila thotë se nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse (mbulimi i simboleve shtetërore), në pajtim me kornizën e dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe do të aplikohet si masë e përkohshme derisa të vendoset një masë e përhershme.

Nisja e zbatimit të reciprocitetit për targa nga Kosova, i cili vëzhgohej nga Njësia Speciale e Kosovës, ka shkaktuar bllokadë gati dy javore në dy pikë kalime kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak.

Shumë qytetarë serbë, në shenjë proteste ndaj reciprocitetit, patën bllokuar këto dy pikë kalime, duke vendosur kamionë.

Largimi i tyre është bërë dje, krahas me largimin e Njësisë Speciale të Kosovës.

Për të ofruar siguri, në këto dy pikë kalime do të qëndrojnë forcat e KFOR-it për dy javë rresht.

Image
Kolona e kamioneve nga Serbia për të hyrë në Kosovë, përmes pikëkalimit kufitar në Jarinje