Politologu Melazim Koci ka thënë se çuarja e shtetit në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së presidentit, do të zvarriste edhe një plan të raportuar amerikan për njohje nga Serbia.
Ai ka deklaruar se ekzistojnë gjasat që Serbisë t’i kërkohet me ultimatum njohja e Kosovës. Dhe sipas tij, po që se klasa politike e zvarrit këtë proces nëpërmjet çuarjes së vendit në zgjedhje të reja, do të ishte e pafalshme për të.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Nëse ndodh që Kosova shkon në zgjedhje, mendoj se do të jetë e pafalshme për të gjithë këtë klasë politike. S’mund të amnistohet askush, përpjestueshmërisht me numrin e mandateve në Kuvend. S’mund të barazohet përgjegjësia e Vetëvendosjes me AAK-në. Kësaj radhe do të jetë e pafalshme për një fakt shumë të thjeshtë. Për zhvillimet e jashtme. S’e kam fjalën për zhvillimet brenda. Jemi shoqëri modeste, mund të jetojmë edhe me paga më të larta, më të ulëta, me një autostradë më pak, por ka spekulime, supozime dhe pohime që është në hartim e sipër një plan ekskluzivisht amerikan për zgjidhjen e raportit Kosovë-Serbi përfundimisht me fokus njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Do të ishte hera e parë që në mënyrë ultimative gati i thuhet Serbisë ta njohë Kosovën. Nëse për shkak të lojërave politike në Kosovë, kalkulimeve, manovrimeve ajo çështje qëndron dhe do të zvarritet, mendoj se kjo do të ishte e pafalshme për klasën politike. Besoj se do të duhej t’i emanciponin këto lëvizje. S’janë gjëra të planetëve të tjerë. Është mundësi reale. Flitet shumë në Ballkan por edhe jashtë se do të mund të ketë një plan amerikan, të njëanshëm pra pa BE-në”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.
Sipas tij, Kosovës i kërkohet vetëm të jetë e gatshme për të avancuar në këtë raport.
Megjithatë, ai ka thënë se aty mund të ketë kërkesa edhe për Kosovën.
“Krejt çka duhet ne është të jemi të gatshëm. Druaj që në atë projekt, nëse qëndron, mund të ketë edhe kërkesa për Kosovën dhe dikush ndoshta llogarit që më mirë është të zvarritet ajo çështje. Nëse në fokus është njohja - do të jetë llogari e gabuar”, ka përfunduar ai.
Se SHBA-ja po përgatit diçka të tillë e ka përmendur të enjten edhe ish-ambasadori i Serbisë në Amerikë, Nebojsha Vujoviq. Ai ka thënë se ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë vizitës në SHBA ditëve të fundit është njoftuar për marrëveshjen e propozuar nga Amerika për njohjen e Kosovës.
“Gjuriq ishte ftuar në Washington që Rubio, në emrin e Qeverisë amerikane dhe presidentit Donald Trump, ta informojë për një marrëveshje sekrete dhe detyruese për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ky ishte qëllimi kryesor i ftesës së Gjuriqit në Washington. Çdo ditë, hap pas hapi, Serbia po i afrohet formalizimit dhe njohjes së Kosovës si shtet të pavarur”, ka thënë Vujoviq për agjencinë “Beta”. “Duke nënshkruar një marrëveshje detyruese për njohjen e Kosovës, Trumpi do të arrinte një sukses të madh, ndërsa njëkohësisht do t’i jepte një goditje Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Në anën tjetër, kjo i përshtatet Vuçiqit sepse do të blinte kohë për vete që të mbetet në pushtet. Me këtë, Vuçiqi do të merrte një pëlqim të heshtur për mbylljen e mediave të pavarura, ndërsa do të shtyhej edhe vendosja e sanksioneve amerikane për shkak të korrupsionit, manipulimit të zgjedhjeve dhe mosrespektimit të sundimit të ligjit, sipas Ligjit mbi demokracinë në Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Kongresi amerikan”.
Këto pretendime janë kundërshtuar nga zyrtarët serbë. Presidenti Aleksandar Vuçiq ka thënë se kjo çështje “as që mund të mendohet”. Njëjtë ka deklaruar edhe Gjuriqi.