Arbëri

Koci: Skandaloze veprimet e BE-së në raport me Kosovën, masat s’do t’i heqë për një kohë të gjatë

Ish-kryeredaktori i REL-it, Melazim Koci, ka thënë se veprimet e fundit të Bashkimit Evropian në raport me Kosovën janë skandaloze. 

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Koci ka vlerësuar se masat ndëshkuese të vëna nga BE-ja nuk do të hiqen edhe një kohë të gjatë.

“Bukur shumë edhe për shkak të Kosovës filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë, nuk dua të them tani se për shkak të Kosovës do të shpërbëhet Bashkimi Evropian, nëse shpërbëhet, shpërbëhet për çështje të tjera, por kjo si vepron Bashkimi Evropian kohët e fundit me Kosovën është hiç më pak se skandaloze... Besoj që Kosovës nuk do t’i hiqen masat edhe një kohë të gjatë mjerisht, për shkak të kësaj politike të Bashkimit Evropian dhe përçarjeve që i kanë brenda”, ka thënë ai. 

Koci ka shtuar se nuk përjashtohet mundësia që pas formimit të Qeverisë, të kërkohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe e një varg kërkesash tjera nga blloku.

“Ne jemi shpesh të kujdesshëm dhe është mirë që jemi të kujdesshëm kur bëjmë vlerësime, por t’i thuash një vendi të vogël siç është Kosova me 1 milion e 600 mijë banorë para dy javësh që masat do të hiqen nëse transferimi i pushtetit në komunat veriore bëhet në mënyrë paqësore, gjë që u bë, pastaj pas transferimit të thuash, siç i thotë Brukseli Kosovës që duhet diçka tjetër shtesë tani, pra të formohet Qeveria, nuk e përjashtoj mundësinë pas formimit të Qeverisë të kërkohet themelimi i Asociacionit, kthimi i gjykatësve e policëve serbë në veri, normalizimi apo njohja e dyanshme Kosovë-Serbi, pra kemi të bëjmë me një varg kërkesash të BE-së që i kanë në tavolinë por që nuk kanë të bëjnë me politikën reale, kanë të bëjnë me pazaret brenda vetë BE-së”, ka deklaruar ai.