Arbëri

Koci: Deklarata e Kurtit për zgjedhje s’është shantazh, por sinjal për të gjithë - përfshirë Osmanin

Melazim Koci

Politologu Melazim Koci, e ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti që vendi teorikisht dhe praktikisht mund të shkojë sërish në zgjedhje për shkak të çështjes së presidentit. Koci në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se kjo nuk nënkupton shantazh ndaj opozitës por ndërgjegjësim që vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje.

Sipas Kocit, Kurti me atë deklaratë i ka dërguar sinjal të gjithëve, përfshirë edhe presidentes aktuale Vjosa Osmani e cila po e synon edhe një mandat tjetër.

“Nuk mendoj se është shantazh, është ndërgjegjësim i Kurtit për sfidën para së cilës është Kosova. Dërgimi i Kosovës në zgjedhje të tjera është baraz me katastrofë politike për Kosovën. Nuk është duke e shantazhuar opozitën por është i ndërgjegjshëm që duhet gjetur nja kandidat koncensual, kandidat të pranueshëm si për pozitën ashtu edhe për opozitën. Një kandidat të pavarur. Te Kurti shoh mbështetje të presidentes Vjosa Osmani edhe për një mandat tjetër por thjesht nuk i ka numrat. Maksimumi që mund të sigurojë Lëvizja Vetëvendosje për Osmanin është 67 numra. Ky është maksimumi. Kurti po dërgon një sinjal për opozitën që dëshiron marrëveshje për një personalitet të pranueshëm, në mënyrë që të shmangë zgjedhjet e reja. Kjo është përpjekje e tij për të dërguar sinjale te secili, qoftë edhe te Osmani”, ka thënë Koci.

Sipas Kocit, veprimet në pesë muajt e fundit të presidentes Osmani, nga ana e opozitës janë konsideruar të njëanshme dhe sipas tij nuk do ta votojnë edhe për një mandat. Ai thotë se sfidat kryesore të qeverisë së re do të jenë çështjet ndërkombëtare dhe aftësia për t’u radhitur si duhet me rendin e ri botëror.              

Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe përkrahjen në përqindje të madhe nga diaspora, Koci tha se është faji i opozitës që nuk ka ditur ta kalkulojë këtë votë, e madje sipas tij, në opinion u pa se as nuk dëshiron që mërgata ta ketë të drejtën e votës në Kosovës.

Sipas ish-kryeredaktorit të Radios Evropa e Lirë, bashkatdhetarët kësaj radhe votuan për shtrirjen e sovranitetit në veri.

“Ata kësaj radhe besoj se kanë votuar për shtrirjen e sovranitetit në veri. Nuk është e habitshme, ata nuk ballafaqohen me problemet që ne përballemi. Kjo nuk i arsyeton ata të cilët këtu në Kosovë ditëve të fundit godasin diasporën me shumë të padrejtë. Nuk është problemi i diasporës që anojnë bindshëm kah Lëvizja Vetëvendosje. Është problemi i partive opozitare që nuk kanë ditur t’i joshin ata, të krijojnë platforma për ta e as vizion për ta. Duhet të pushojnë me këto akuza në llogari të diasporës”, ka thënë Koci.

Melazim Koci, ka thënë se fajin për bllokadën institucionale prej muajsh, qytetarët ia adresuan opozitës duke i parë si jokonstruktive dhe kjo sipas Kocit tregohet me rezultatin që Lëvizja Vetëvendosje e arriti në këto zgjedhje nacionale.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Koci tha se LDK-ja e pësoi këtë “dridhje të madhe” për shkak që e refuzoi ofertën për koalicion të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Opinioni zhagitjen e krijimit të institucioneve e ka adresuar te opozita dhe sidomos të LDK-ja e cila refuzoi ofertën për koalicion. Ndryshe nuk di ta shpjegoj që LDK-ja nga 180 mijë vota, humbi 50 mijë deri në 60 mijë vota. Kjo është dridhje e madhe. Nuk di si ta shpjegoj ndryshe përveç si përceptim të opinionit që ai ishte gabim i LDK-së që refuzuan koalicionin me LVV-në. Gjithashtu elektorati i këtyre dy partive është i bukur ngjashëm. Ato 50 mijë a 60 mijë vota të LDK-së, ose kanë abstenuar ose kanë kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje. Këtu duhen kërkuar shkaqet e disfatës së rëndë të LDK-së. Sa i përket PDK-së, megjithatë ata ruajtën votat e tyre të shkurtit të këtij viti”, ka deklaruar Koci.

Politologu Koci poashtu ka thënë që LDK-ja ka rrezik të vazhdojë trendin e rënies nëse nuk bën ndryshime ose reforma dhe sipas tij nuk mjafton vetëm me dorëheqjen e kryetarit aktual Lumir Abdixhiku.

“Ka rrezik që ky trend të vazhdojë nëse nuk do të ketë reforma të thella në LDK. Nuk besoj që këtë çështje mund ta zgjidhë vetëm një dorëheqje e kryetarit Lumir Abdixhiku. Kjo nuk mjafton. Mendoj se duhet reformim i thellë i LDK-së. Ata kanë sjellur kuadro të reja është evidente. Por është poashtu evidente që shumë themelues të LDK-së që kanë dhënë kontribut sot nuk janë brenda apo afër LDK-së. I mbetet kësaj partie ta analizojë se a është kjo një nga shkaqet e rënies kaq të thellë. Kanë bërë ripërtritje dhe kjo është mirë por duket se nuk ka qenë e baraspeshuar. Rezultati tregon që janë larg asaj që synojnë dhe që është objektivi i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë Koci.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka pranuar dështimin e tij në krye të LDK-së. Deri më tani, Abdixhiku nuk ka sqaruar përfundimisht nëse ka dhënë apo jo dorëheqje nga posti, siç po raportohet. Këtë ka thënë se do ta bëjë “me kohë e në vendin e duhur”.

LDK-ja doli e treta në zgjedhjet e shkurtit me rreth 17 për qind, por pësoi humbje të rëndë në zgjedhjet e 28 dhjetorit duke dalë sërish e treta, vetëm se kësaj radhe me rënie në 13 për qind e duke humbur pesë ulëse në Kuvend.