Kontrata ekzistuese me kompaninë e kontraktuar tre vjet më parë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të brendshme të QKUK-së do të përfundojë në muajin tetor. Tenderi nuk është shpallur ende dhe kjo vë në rrezik pacientët brenda klinikave të QKUK-së
Klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës do të mbesin pa mirëmbajtje dhe pastrim të brendshëm për pak ditë pasi kontrata me kompaninë e kontraktuar tre vjet më parë do të përfundojë muajin e ardhshëm. QKUK-ja nuk ka hapur ende tender të ri.
Nga zyra për media e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, pa dhënë afat kohor, kanë thënë se janë në përfundim të procedurave dhe se së shpejti do të publikojnë dosjen e tenderit.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës është i vetëdijshëm që përgatitja e specifikave teknike për tenderin e pastrimit ka marrë më shumë kohë sesa zakonisht, por ju informojmë juve dhe publikun që e gjithë kjo është bërë për arsye se SHSKUK është e përkushtuar që të përgatisë specifika teknike, të cilat do të sigurojnë një kontratë kualitative për shërbimet e pastrimit në SHSKUK”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Në këtë institucion kanë arsyetuar vonesën edhe me angazhimin e një eksperti të huaj për të kontribuuar në hartimin e dosjes së tenderit.
“Në këtë aspekt SHSKUK ka angazhuar edhe një ekspert nga Gjermania, i cili po jep kontributin e tij në mënyrë që këto specifika të sjellin kompani, të cilat do të ofrojnë një pastrim kualitativ, i cili është shumë i rëndësishëm sikur për shëndetin e pacientëve, i cili është parësor, por edhe për shëndetin e stafit mjekësor gjithashtu”, kanë thënë në ShSKUK.
Nga SHSKUK-ja nuk kanë kthyer përgjigje se si do të veprohet deri në përfundimin e procedurave të prokurimit dhe nëse do të gjendet ndonjë zgjidhje alternative për periudhën sa nuk do të ketë kontratë.
Në tetor të vitit 2020, QKUK-ja pati kontraktuar për tre vjet kompaninë “Laguna” për shërbimet e pastrimit dhe sanitarisë, kompani kjo që edhe më herët e pati ofruar këtë shërbim.
Tre vjet më parë kontraktimi i “Lagunës” i kushtoi QKUK-së 4.8 milionë euro.
Për higjienën dhe nivelin e ulët të pastërtisë brenda klinikave të QKUK-së pacientët jo rrallëherë kanë shprehur ankesa.