Pavarësisht thirrjeve në rrjete sociale nga qytetarë serbë që i kërkuan Iranit të godasë edhe bazën amerikane në Kosovë, në KFOR nuk e kanë ndërmend të bëjnë ndryshime të rëndësishme në strukturën apo qëndrimin e forcave të tyre. Në një përgjigje për KOHËN, misioni i NATO-s theksoi se forca rishikohet dhe përshtatet periodikisht sipas zhvillimeve në terren, ndërsa institucionet e Kosovës thonë se nuk kanë pranuar ndonjë informacion zyrtar lidhur me këto thirrje.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka bërë të ditur se në forcën e saj nuk ka ndryshime të rëndësishme aktualisht.
KFOR-i i është përgjigjur KOHËS lidhur me thirrjet në rrjete sociale nga qytetarë të Serbisë, të cilët i kërkuan Iranit që, krahas sulmeve ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme, të godasë edhe atë në Kosovë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNATO-ja ka thënë se forca e saj rishikohet dhe përshtatet periodikisht, në përputhje me zhvillimet në terren.
“Forca dhe qëndrimi i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, derisa rrethanat evoluojnë, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij. Aktualisht, nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim”, u tha nga KFOR-i.
Në përgjigje KFOR-i po ashtu ka thënë se SHBA-ja vazhdon të luajë rol kyç në kuadër të misionit, me rreth 600 trupa të dislokuara në Kosovë.
Më së shumti trupa ka Italia, me mbi 900 sosh. E gjithsej janë rreth 5000 trupa të KFOR-it në Kosovë.
“ Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe të stabilitetit rajonal, përfshirë në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR. Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse 600 trupa të dislokuara me KFOR-in”, u tha nga KFOR-i.
Për këtë çështje ka folur edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut.
Ai deklaroi se misioni i KFOR-it në Kosovë do të mbetet “i fuqishëm” dhe “i aftë për qëllimin e tij”.
“Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, tha Rutte.
Në postime të publikuara në platformën X, por edhe Telegram llogari në gjuhën serbe kanë shpërndarë koordinatat e kampit ushtarak amerikan Bondsteel, me mesazhe si: “Ja një bazë tjetër amerikane! Faleminderit paraprakisht”.
Në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës kanë deklaruar për KOHËN se nuk kanë pranuar ndonjë informacion zyrtar lidhur me këto thirrje.
Ndonëse nuk ka qëndrim zyrtar për ndonjë implikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të Kosovës në përplasjet e fundit ushtarake në Lindjen e Mesme, të shtunën mbrëma është mbledhur Këshilli i Sigurisë i Kosovës.
Sipas një komunikate të Qeverisë, në mbledhje janë diskutuar zhvillimet e fundit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe është theksuar se institucionet e Kosovës po i përcjellin me vëmendje situatat, duke qëndruar të palëkundura krah miqve dhe aleatëve strategjikë, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës.