Arbëri

Nis më 24 dhjetor gjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në “Ibër-Lepenc”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se gjykimi i të akuzuarve për sulmin terrorist mbi kanalin e “Ibër Lepencit” do të nisë gjatë këtij muaji. Të akuzuar në këtë rast janë vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq. Njëri prej tyre i ka thënë prokurorisë se është stërvitur në bazën e njëjtë, ku ka ushtruar edhe grupi i Milan Radoiçiqit për sulmin në Banjskë

Gjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit” është caktuar që të nisë më 24 dhjetor.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur se në fund të dhjetorit do të mbahet shqyrtimi fillestar për rastin, në të cilin të akuzuar janë Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq.

Prokuroria Speciale i akuzon që të tre të pandehurit për armëmbajtje pa leje. E dy vëllezërit

Viqentijeviq edhe për veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, “kryerjes së veprës terroriste” dhe “spiunazhit”.

Më 9 dhjetor të vitit të shkuar, Prokuroria Speciale ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tre të pandehurve për shpërthimin që ka ndodhur më 29 nëntor të 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, komunë kjo në veri të Kosovës që është e banuar kryesisht me serbë. Në aktakuzën, të cilën e ka ngritur prokurori Bekim Kodraliu, bëhet e ditur se Jovan Viqentijeviq i ka thënë prokurorisë se është trajnuar në poligonin e ushtrisë serbe “Pasulanske Livade”, bashkë me rreth 120 persona të tjerë, në periudhën midis 14 e 23 shtatorit të 2023-tës. Gjatë kësaj periudhe kohore, bazuar në aktakuzën për sulmin terrorist në Banjskë, të ndërmarrë nga serbë të armatosur dhe të uniformuar, stërvitje në poligonin “Pasulanske Livade” ka kryer edhe grupi i Milan Radoiçiqit. Në bazë të kësaj aktakuze, grupi që e ka kryer sulmin në Banjskë, i ka realizuar stërvitjet ushtarake në datat 19 dhe 20 shtator 2023. 
Jovan Viqentijeviqi i ka thënë prokurorisë se edhe në Kosovë u pati planifikuar që të ndërmerrej edhe një sulm tjetër në tetor të vitit të shkuar, porse atë e ka anuluar Radoiçiqi. Sipas asaj që Viqentijeviqi ia ka thënë Prokurorisë, për këtë sulm pritej përfundimi i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe fitorja e Donald Trumpit. Viqentijeviqi ka thënë gjithashtu se Radoiçiqi e ka mbështetur fushatën elektorale të Trumpit me 30 milionë dollarë, nëpërmjet lobit serb në SHBA. 
Një ekspertizë e kryer nga Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI), e cila është pjesë e aktakuzës, ka treguar se në çizmet e të akuzuarve është gjetur dhe që bazuar në strukturën, ngjyrën dhe përbërjen ka qenë e njëjtë me atë të marrë si mostër në kanalin e “Ibër-Lepencit”.

Organi i akuzës ka pretenduar se në fitilin që është sekuestruar në vendin e ngjarjes është gjetur edhe material i ADN-së që përputhet në masë të madhe me gjenet e të akuzuarve.

Lidhur me gjetjet e ekspertizës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se të dhënat janë tregues se tre serbët e akuzuar për shpërthimin në “Ibër-Lepenci” kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë.

“Tashmë është në rrugë të mbarë hetimi i këtij rasti, ku janë siguruar prova se pikërisht tre serbët e akuzuar ishin në vendin e ngjarjes natën kritike, për ç’gjë falënderoj institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punën profesionale të kryer në këtë rast”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka shtuar se gjykimi në këtë rast “do ta dëshmojë se të akuzuarit ishin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhur ngushtë me mikun e [presidentit të Serbisë Aleksandar] Vuçiqit, terroristin Milan Radoiçiq, dhe strukturat e tjera shtetërore të Serbisë që planifikuan dhe urdhëruan sulmin terrorist”.
Në aktakuzën për sulmin në “Ibër-Lepenc” thuhet se vëllezërit Viqentijeviq, së bashku me persona ende të panjohur, “pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv [rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene ‘TNT’] në brendësi të kanalit”. Sipas Prokurorisë, vëllezërit Viqentijeviq e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese nëpërmjet një çante që e kanë lidhur me litar në një shtyllë betoni, “ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit ‘Ibër-Lepenc’, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike”.

Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, sipas aktakuzës, i është shkaktuar një dëm prej afër 400 mijë eurosh.
Jovan Viqentijeviqi akuzohet edhe për spiunazh. Sipas Prokurorisë Speciale, deri në momentin e arrestimit ai ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Informativ Ushtarak i Serbisë dhe e ka mbajtur gradën e togerit.

Në Prokurori kanë thënë se ai e ka ndihmuar këtë shërbim, “duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t'i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës”. Në hetimet për këtë rast, Kosova ka bashkëpunuar me partnerë evropianë dhe ata amerikanë.

Lidhur me shpërthimin, autoritetet kanë arrestuar dhjetëra persona të dyshuar dhe kanë sekuestruar armë dhe eksplozivë. Por, deri më tani dihej se për këtë rast ishin dërguar në paraburgim vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq.

Ndërmarrja hidroekonomike “Ibër-Lepenc” i furnizon me ujë disa qytete të Kosovës dhe Korporatën Energjetike (KEK) për ftohjen e termocentraleve. Kjo ndërmarrje është në pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës.

Menjëherë pas shpërthimit, autoritetet në Kosovë e kanë fajësuar Serbinë se qëndron prapa ngjarjes.