Kërkesa për njohjen e statusit të gjuhës rome, si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit është paraqitur edhe njëherë te drejtuesit e Ekzekutivit lokal, por kësaj radhe nga Këshilli Konsultativ për Komunitete. Anëtarët e këtij trupi, që funksionon në kuadër të Presidencës së Kosovës, pos çështjes së përdorimit të gjuhëve, kanë kërkuar përmirësime për komunitetet edhe në aspektin e arsimit dhe të punësimit. Ata gjatë takimit me kryetarin Shaqir Totaj janë pajtuar që të bashkëpunojnë për adresimin e këtyre problemeve.
“Me dekada dhe shumë vite komuniteti rom ka kërkesë që gjuha rome të jetë e njohur si gjuhë tradicionale dhe ndihem mirë që kryetari Totaj e njeh këtë situatë dhe kërkesën e komunitetit, dhe shpresoj që së shpejti kjo do të jetë në agjendë të qeverisjes së tij”, ka thënë Ridvan Gashi, anëtar i KKK-së. Sipas tij, ka ardhur koha që kjo çështje të trajtohet, meqë prezenca e gjuhës rome në Prizren është e moçme.
Ndërsa kryesuesi i KKK-së, Agim Ferati, ka bërë të ditur se me përfaqësuesit komunalë është diskutuar rreth problemeve dhe mundësive për tejkalimin e pengesave që ekzistojnë si për arsim, punësim, ashtu edhe për përdorimin e gjuhëve.
“Jemi pajtuar që të vazhdojmë bashkëpunimin dhe të gjitha këto probleme, përkatësisht mangësitë, t’i eliminojmë në periudhën e ardhshme”, ka deklaruar Ferati.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka deklaruar se nga ana e organeve lokale në asnjë moment nuk do të mungojë vullneti për t’i adresuar këto çështje.
gjithmonë duke pasur parasysh edhe faktin se ka edhe pengesa administrative, burokratike, të cilat duhet t’i kalojmë, por asnjëherë nuk do të mungojë vullneti e gatishmëria që çështjen e përdorimit të gjuhëve, çështjen e respektimit të të drejtave, çështjen e punësimeve edhe të gjitha çështjet e tjera që kanë të bëjnë me investime në infrastrukturë, në të drejtat për arsim e kështu me radhë t’i adresojmë”, është shprehur Totaj.
Sipas statutit të Komunës së Prizrenit, në territorin e saj, gjuhë zyrtare janë: gjuha shqipe, gjuha serbe, gjuha boshnjake dhe gjuha turke.