Arbëri

KESCO kërkon rritje të çmimit të rrymës rreth 21%

kesco keds fatura tarifa

Foto: Driton Paçarada

Kompania furnizuese me energji elektrike, KESCO, ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për 21.3 për qind për vitin 2026.

Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe tani i takon këtij institucioni të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo propozimin për rritjen e çmimit të rrymës.

Sipas aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.

Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro – të cilat ishin aprovuar nga ZRRE-ja.

Në rast se ZRRE-ja aprovon edhe këtë herë kërkesën e KESCO-s, atëherë do të jetë hera e tretë në katër vjetët e fundit që rritet çmimi i rrymës.

ZRRE-ja bën çdo vit shqyrtimin dhe caktimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Në vitin 2023, ZRRE-ja pati aprovuar rritjen e çmimit për 15 për qind, ndërsa në vitin 2025 për 16.1 për qind.

Në vitin 2024, tarifat ishin ulur prej 8 për qind për konsumatorët familjarë që shpenzonin mbi 800 kilovatë si dhe për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.

Aktualisht, tarifa e ditës për ata që përdorin më pak se 800 kilovat në muaj është 9.05 centë për kilovat. Ndërsa tarifa e natës (23:00 - 08:00) për ata që përdorin më pak se 800 kilovat është 3.88 centë për kilovat.

Për kilovatët e shpenzuar mbi tarifën e bllokut prej 800 kilovatësh, çmimi është 15.43 centë gjatë ditës dhe 7.28 centë natën.