Arbëri

Kërkohet përgatitje e strategjive për zhvillimin e arsimit në komunat e rajonit të Ferizajt

Komunat në regjionin e Ferizajt gjatë periudhës së fundit kohore kanë ngecur të hartojnë strategjitë dhe planet zhvillimor për arsim, derisa strategjitë e kaluara tashmë në shumicën e komunave kanë skaduar.

Strategjitë e mëhershme për ta zhvilluar arsimin kanë pasur një periudhë katërvjeçare të vlefshmërisë, ndërkohë në këtë drejtim më keq qëndron komuna e Shtimes pasi që ky projekt nuk është planifikuar me buxhet të këtij viti.

Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” që monitoron komunat në regjionin e Ferizajt ka kritikuar drejtoritë komunale për neglizhencë të hartimit të strategjive të reja për arsim. Kenan Gashi drejtor në këtë organizatë, ka thënë për KOHËN se shumica e komunave në regjionin e Ferizajt tashmë nuk kanë strategji legjitime për zhvillimin e arsimit derisa afati i vlefshmërisë së tyre ka skaduar.

“Drejtorët e arsimit nëpër komuna duhet ta kenë parasysh që draft dokumentet strategjike për zhvillimin e arsimit tashmë kanë skaduar në shumë komuna e që nuk ka hapa konkret për t’i përgatitur ato. Prandaj, gjatë monitorimit tonë nëpër komuna kemi vërejtur se me gjendje më të keqe qëndron komuna e Shtimes të cilës tashmë i ka skaduar afati i strategjisë. Ndërkaq, në Ferizaj në qershor të këtij viti skadon afati i kësaj strategjie por që nuk ka lëvizje pozitive për ta hartuar një të tillë e cila është shumë e domosdoshme për ta orientuar sektorin e arsimit”, ka kritikuar Gashi.

Sipas tij me gjendje të ngjashme qëndrojnë edhe komuna e Kaçanikut dhe ajo e Hanit të Elezit.

“Drejtorët komunale nuk duhet pritur momentet e fundit për hartimin e strategjive të reja për sektorin e arsimit, andaj duhet punohet paraprakisht sepse strategjitë e tilla përcaktojnë synimet, objektivat dhe gjithçka që ndërlidhet me procesin edukativo-arsimor”, ka thënë Gashi.

Lulzim Sahiti, drejtor i Arsimit në Komunën e Shtimes, ka thënë se ish-qeverisja nuk kishte planifikuar buxhet të veçantë për hartimin e një strategjie të tillë megjithëse afati i së kaluarës tashmë ka skaduar. Sipas tij, komuna është në dijeni se hartimi i një strategjie të re është e domosdoshme por një gjë e tillë nuk mund të ndodh deri në shtator të këtij viti.

“Deri në muajin shtator të këtij viti nuk kemi mundësi sepse që atëherë krijohen kushtet buxhetore, por do të shikojmë mundësinë me rishikim të buxhetit në muajin qershor. Kjo ngecje është për hartimin e këtij dokumenti ka ndodhur për shkak që ish qeverisja e kaluar nuk e ka planifikuar dhe nuk kishte ndarë buxhet për këtë projekt. Sidoqoftë ne do ta bëjmë në të ardhmen”, ka thënë Sahiti.

Ai ka sqaruar se strategjia për zhvillimin e arsimit parasheh synimet e komunës, objektivat, sfidat dhe të gjitha zhvillimet që parashihen të ndodhin për periudhën e ardhshme katër vjeçare në sektorin e arsimit.

Ndërkaq, Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se në muajin qershor skadon afati i strategjisë zhvillimore të arsimit, ndërkohë ende nuk janë marrë hapa konkret se si do të përgatitet një e tillë.

“Kemi informacione se niveli qendror, pikërisht ministria e Arsimit është duke e përgatitur draft strategjinë e re për Arsimin, ndërkohë ne si komunë në bazë të asaj strategjie do ta ndërtojmë një të tillë e cila është e domosdoshme për të sistemin arsimor. Me anë të strategjive të reja parashihej zhvillimi i arsimit e në kuadër të saj me planet tjera të Komunës parashihen edhe ndërtimet e objekteve shkollore etj”, ka thënë midis të tjerash Llabjani.