Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim për tre zyrtarët policorë lidhur me dyshimet për përfshirjeje në veprimtari të jashtëligjshme.
Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës, t’i caktojë të pandehurve masën e paraburgimit, meqë ekziston dyshimi i bazuar se nëse të pandehurit gjenden në liri do të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale duke asgjësuar, fshehur ose ndikuar në dëshmitare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas kërkesës së Prokurorisë të cilën e ka siguruar KOHA thuhet se zyrtarët policorë dyshohet se u përfshinë në disa marrëveshje për një pronë. Dyshimet janë se policët bashkëpunuan me dy qytetarë të nacionalitetit serb.
Në rast dyshohet se u përdorën edhe dokumente të falsifikuara. Policët dyshohen gjithashtu se kanë marrë “deklarata me anë të shtrëngimit”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri A. I. si zyrtar policor në Stacionin Policor Jugu, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe për të tjerë, ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij ligjore.
“Nga data 12.03.2024 deri me datë 21.01.2026 është koordinuar me të dyshuarin M.M., që të ndihmojë me qëllim që i njëjti të tjetërsojë parcelën me numër ngastrës kadastrale 1662-0 me sipërfaqe prej 5976 m2 me anë të dokumenteve të falsifikuara dhe atë të bartë të personi Z.J., me ç’rast A.I pas udhëzimeve të M.M., ishte interesuar edhe në Prokurori se mos kishte ardhur ndonjë dokument nga Beogradi”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë të cilën e ka siguruar KOHA.
Sipas Prokurorisë, më datë 31.10.2025 S.Q., e kishte paraqitur rastin në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë në lidhje me këtë pronë pasi që babai i tij ishte blerës i kësaj prone që në vitin 1958, A.I., ishte angazhuar që nën udhëzimet e M.M., të marrë veprime brenda Stacionit Policor Jugu dhe e kishte njoftuar dhe ndihmuar për çdo gjë M.M..
“Madje edhe duke marr pjesë dhe intervistuar dëshmitaren V.M.B., edhe pse nuk kishte të drejtë sepse tanimë rasti ishte në sektorin e hetimeve ku A.I., nuk bënë pjesë dhe nga aty e kishte njoftuar M.M., për rrjedhjen e intervistimit dhe pas intervistimit të njëjtit janë takuar së bashku sepse gjatë kësaj kohe M. M. po qëndronte përball Stacionit Policor Jugu që të informohet me rrjedhjen dhe në një rast M.M., i thotë A.I., që gjatë intervistimit A.I., të kërkon nga S.Q., ta tërheq ankesën nga kadastri dhe padin në Gjykatë, po ashtu M.M, kërkon qe A.I., të kryejë punën mirë me ç’ rast A.I., e siguronte se puna do të kryhet mirë, po ashtu A.I., i dërgon M.M., edhe raportin e hetuesit B.B., me qëllim që M.M., të shikojë se si kanë vepruar ku M.M., i thotë se “e lexova dhe mirë e ke shkruar”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, me këtë i pandehuri A.I., e ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Zyrtari policor A.I., gjithashtu dyshohet se ka kryer veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”, meqë sipas Prokurorisë në vazhdimësi pa autorizim ka zbuluar informatat zyrtare në të cilat ka pasur qasje për shkak të detyrës së tij zyrtare.
“Në vazhdimësi pa autorizim ka zbuluar informatat zyrtare për të cilat ka pasur qasje për shkak të detyrës së tij zyrtare, ashtu që nga data 12.03.2024 deri me datë 21.01.2026 të pandehurin M.M., e ka njoftuar për deklarimit e dëshmitarëve në lidhje me procesin e zhvillimit të hetimeve për të cilat kishte interes i pandehuri M.M., dhe duke u koordinuar me të, po ashtu A.I., i dërgon M.M., edhe raportin e hetuesit B.B.”, thuhet në kërkesë.
Përveç këtyre dy veprave penale, zyrtari policor A.I., dyshohet se me zyrtarin tjetër B.B., kanë kryer veprën penale “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit”.
“Me datë 08.11.2025 nga ora 15:10 deri në ora 16:35 në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë gjatë intervistimit të dëshmitares V.M.B., e cila ishte zyrtare e kadastrit në Komunën e Prishtinës, i bënë presion në mënyrë të vazhdueshme me qëllim që e njëjta të veproj në kundërshtim me detyrën e saj zyrtare dhe me këtë rast të fshijë vërejtjen e regjistruar në parcelën me numër ngastrës kadastrale 1662-0 me sipërfaqe prej 5976 m2, pasi qe e kishte regjistruar sepse kishte procedurë paraprake në Gjykatë, duke kërkuar nga ajo që të shkojë në punë, të fshijë vërejtjen dhe të vijë e të dëshmojë këtë me certifikatën e pronësisë e cila do të kalonte si trashëgimi në emër të Z.J., që më pas i njëjti ta shesë këtë pronë dhe të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme pasi kishte falsifikuar dokumentet e kësaj prone që më parë dhe e njëjta ishte tentuar të bartet të personi Z.J”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
E i pandehuri tjetër A.SH., me pozitë zyrtar policor në Drejtorinë për hetimin e narkotikëve, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas kërkesës thuhet i pandehuri A.SH., ka siguruar certifikatat e pronave publike që më pas M.M., për të njëjtat prona t’i falsifikonte dokumentet.
“Më pas ato prona t’ paraqiste sikur janë me dokumente të rregullta dhe të njëjtat të shiten me qëllim që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga shitja e tyre, këto veprime i pandehuri A.SH., a i ndërmerr sipas udhëzimeve të M.M., me ç’ rast me datë 29.05.2024 M.M., e pyet të dyshuarin A.SH., se “A fole me qat djalë me nxir ato”, ndërsa me datë 30.05.2024 i pandehuri A.SH., i tregon M.M., se “këto letrat un i kom kur t’ vish ti dha”, e me pas përmes viberit i dërgon fotografitë e kopjeve të certifikatave të pronësisë për parcelat”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dyshohet që e ka kryer edhe zyrtari policor B.B..
B.B si zyrtar policor në stacionin policor Jugu në Prishtinë dyshohet se së bashku me A.I., duke qenë së bashku me trajtimin e rastit edhe pse zyrtari policor A.I., nuk ishte në Sektorin e Hetimeve e ka lejuar që të qëndrojë të njëjtin në intervistimin e dëshmitares V.M.B..
“Pa u evidentuar në procesverbal pasi që e dinte se një gjë e tillë nuk është e lejuar, po ashtu i dyshuari B.B., e ka ftuar dëshmitaren të jep deklaratë në ditët e shtunë vetëm që të këtë mundësi të trajtojë rastin duke e vënë nën presion psikik dëshmitaren dhe duke e frikësuar për të vepruar sipas udhëzimeve të tyre, po ashtu raporti i tij që i ishte dërguar Prokurorit dhe Hetuesit të Krimeve Ekonomike ishte dërguar nga A.I., te M.M., e që dyshohet se të njëjtin raport B.B., ia ka përcjellë të dyshuarit A.I., që më pas ai të dërgonte te M.M., nga veprimet që i kanë bërë së bashku i ka lejuar A.I., që i njëjti të jetë në dijeni për gjithë procedurën që ishte duke u zhvilluar dhe për veprimet që ishin duke u ndërmarr”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, i ka kërkuar Gjykatës që t’i caktojë masën e paraburgimit ndaj tre të pandehurve, pasi të njëjtit kanë shfrytëzuar autoritetin e tyre që buron nga ligji, mënyra e sjelljes së tyre dëmton imazhin e policisë.
Tre zyrtarët policorë janë arrestuar të enjten në një aksion të Prokurorisë Themelore në Prishtinë në bashkëpunimin me Inspektoratin Policor si dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë.
Arrestimet të enjten u kryen në Prishtinë, Fushë Kosovë e Obiliq.
Të enjten në Inspektoratin Policor të Kosovës kanë bërë të ditur se pos tre zyrtarëve të arrestuar është intervistuar edhe V.B., zyrtar tjetër policor, i cili më pas është liruar.
IPK-ja ia ka rekomanduar Policisë, suspendimin e të katër zyrtarëve policorë.
Me njoftim të enjten ka dalë edhe Policia. Sipas këtij institucioni, aksioni është rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve të iniciuara nga vetë Policia.