“Mirëmbrëma Prishtinë!”, ka përshëndetur flautisti Zsombor Feher në gjuhën shqipe njerëzit që ishin mbledhur të enjten në sheshin “Skënderbeu”.
Disa brohoritën pas fjalëve të tij, e disa të tjerë duartrokitën, shkruan sot Koha Ditore. Ky ishte komunikimi i parë i publikut me anëtarët e grupit hungarez “Kerekes Band”, që për gati dy orë argëtoi ata që kishin zgjedhur që mbrëmjen e 12 dhjetorit ta kalonin në shesh.
Feher ka arritur që të mësojë disa fjalë në gjuhën shqipe për të përshëndetur publikun teksa shpesh i drejtohet me “zonja e zotërinj”.
Flautisti së bashku me anëtarët e tjerë të grupit “Kerekes Band” kur fillojnë muzikën e marrin publikun në një udhëtim muzikor sa të çuditshëm aq edhe të mrekullueshëm. Muzika e tyre është një kapërcim nëpër jazz, rock, punk e funk me tinguj të muzikës tradicionale të Transilvanisë që shpalosen njëkohësisht.
Fyelli i Zsombor Feher bart një barrë goxha të madhe për të përcjellë tingujt tradicionalë ani pse shpeshherë loja e tij inovative bën që i njëjti instrument të tingëllojë edhe si kitarë. Csaba Namor që luan në “koboz”, instrument që përdoret për të krijuar tinguj të folklorit të Rumanisë, Moldavisë e po ashtu edhe të Hungarisë, tejkalon folklorin njëlloj si Akos Csarno në violë që shkon përtej muzikës klasike. Pas nuk mbetet as bateristi Viktor Feher. Pikërisht ky gërshetim i stileve e kjo thyerje e barrierave muzikore e ka bërë për vete publikun.
Disa hapa larg skenës, Erblina Gashi ka shijuar muzikën me miqtë e saj. Vetë e gjashta ka zënë një nga tavolinat e shtëpizës prej druri në të djathtë të skenës. Shtëpiza të tilla janë vendosur përgjatë gjithë shesheve në kryeqytet. Gashi lëshon birrën nga dora dhe duartrokit grupin. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)