Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë paralajmëruar në raportin më të fundit vjetor se Ballkani Perëndimor mbetet zonë me tensione të shtuara politike dhe me ndikime të jashtme, duke e veçuar rolin e Rusisë në destabilizimin e rajonit.
Në raportin “Vlerësimi Vjetor i Kërcënimeve 2026”, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (SHBA), thuhet se lufta në Ukrainë i ka thelluar ndarjet midis Perëndimit dhe Rusisë, gjë që reflektohet edhe në Ballkan.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas raportit, Rusia “nxit paqëndrueshmëri midis Serbisë, të cilën e favorizon, dhe Kosovës”, por gjithashtu “mbështet ndarjen e entitetit serb, Republika Sërspka nga Bosnjë-Hercegovina”.
Shërbimet amerikane të inteligjencës kanë vlerësuar se ndarjet etnike dhe politike në rajon mbeten të theksuara dhe përbëjnë një rrezik të mundshëm për sigurinë, veçanërisht kur kombinohen me ndikimin e aktorëve të huaj.
Ballkani Perëndimor në raport përshkruhet si një hapësirë ku përplasen interesat e fuqive të mëdha, ndërsa krizat ekzistuese dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura, përfshirë raportet midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe marrëdhëniet e brendshme politike në Bosnjë-Hercegovinë, mbeten burime kryesore të paqëndrueshmërisë, thuhet në raportin e publikuar më 18 mars.
Raporti i komunitetit të inteligjencës amerikane ka paralajmëruar gjithashtu për një gamë më të gjerë kërcënimesh në Evropë, përfshirë ndikimin politik, dezinformimin dhe përpjekjet për të cenuar arkitekturën e sigurisë, duke e konsideruar Ballkanin si një zonë veçanërisht të ndjeshme.
Dokumenti ka paralajmëruar edhe për kërcënime më globale, ndër të cilat dallohet konkurrenca në rritje midis fuqive të mëdha, veçanërisht midis SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, si dhe zhvillimi i shpejtë i sulmeve kibernetike dhe teknologjive që mund të përdoren për destabilizimin e shteteve. Aty theksohen po ashtu rreziqet nga terrorizmi, krimi i organizuar dhe përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, të cilat vazhdojnë të përbëjnë sfida afatgjata për sigurinë.
Raporti ka paralajmëruar edhe për kërcënim nga terrorizmi, veçanërisht nga individë ose grupe të vogla të frymëzuara nga ideologji ekstremiste, të cilat veprojnë pa lidhje të drejtpërdrejtë me rrjete të organizuara. Edhe pse kapacitetet e organizatave të mëdha terroriste janë dobësuar, rreziku nga sulmet me intensitet të ulët mbetet i pranishëm, përfshirë edhe në Evropë, thuhet në raport. (REL)