Arbëri

KEK-u në dy ditë të ardhshme do të operojë veç me një bllok, akuzohet për keqmenaxhim

Vetëm 130 megavat orë energji elektrike do të prodhojë KEK-u në dy ditët e ardhshme, për ta mbuluar veç 10-përqindëshin e konsumit. Në KESCO alarmuan për mungesë prodhimi vendor dhe për detyrim të importimit të rrymës që do të përcillet me rritje të kostos financiare. Në shoqërinë civile e akuzuan KEK-un për keqmenaxhim, tek paralajmëruan se rritja e importit rrezikon të përcillet me shtrenjtim të rrymës

Vetëm një nga shtatë tymtarët e KEK-ut do të jetë në operim në dy ditët e ardhëm, kur përveç 130 megavatëve që do të prodhohen nga njësia A3, e që u vu në funksion të premten, nuk do të llogaritet në 260 megavatët e tjerë që i prodhon njësia B1.

Në orët e para të së shtunës, KEK-u ka planifikuar ta ndalë B1-shin, shkaku i defekteve në kaldajë.

“Njësia B1 nuk është nominuar për shkak të vështirësive teknike që lidhen me rritjen e humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjet e avullit në sistemin e gypave dhe sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik. Pavarësisht përpjekjeve maksimale për ta mbajtur në operim, ndalja e saj është planifikuar të ndodhë në orët e para të mëngjesit të 21.06.2025, me qëllim të evitimit të ndonjë avarie më të madhe apo të paparashikueshme që mund të cenonte sigurinë teknike të njësisë dhe sistemit në tërësi”, thuhet në njoftim të KEK-ut.

Për pasojë, pjesa tjetër e konsumit deri në 1000 megavatë për orë do të mbulohet nga importi. Bazuar në çmimet në bursa, vetëm për një ditë importi i rrymës Kosovës do t’i kushtojë mbi 2 milionë euro.

E në KESCO alarmuan për mungesë të theksuar prodhimi vendor dhe u bënë thirrje qytetarëve për kursim.

“Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem. Importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar”, thuhet në thirrjen e KESCO-s.

Paralajmërimi nxiti akuza ndaj Qeverisë e KEK-ut për kolaps të prodhimit vendor.

Por në KEK mohuan se ka kolaps, tek shtuan se gjatë ditës u prodhuan nga 373 megavat për orë, që i bie se prej tij u mbulua veç rreth 37 për qind e kërkesës.

E eksperti i çështjeve të energjisë, Adhurim Haxhimusa, alarmon se rritja e importit mund të reflektojë drejtpërdrejt në rritjen e tarifave për qytetarët.

“Siç dihet importet me energji elektrike në Kosovë e kanë një çmim shumë më të lartë sesa gjenerimi vendor. Si rrjedhojë vjen edhe shtrenjtimi ose rritja e kostos së furnizimit me energji elektrike, për të cilën edhe KESCO bënë ftesë që të bëjmë kursim, ashtu që në vitin e ardhshëm të mos kemi nevojë për ngritje të tarifave”, ka thënë ai.

Edhe në INDEP shprehën shqetësim për situatën, tek e akuzuan KEK-un për keqmenaxhim.

“Kosova po përballet me këto sfida për shkak të mungesës së planifikimit strategjik dhe mirëmbajtjes së pamjaftueshme të termocentraleve. Problemet serioze menaxheriale brenda KEK-ut kanë çuar në mungesë investimesh në modernizimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve energjetike ekzistuese. Për më tepër, institucionet përgjegjëse, sidomos Qeveria dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), kanë dështuar në ushtrimin efektiv të rolit të tyre mbikëqyrës”, thuhet në deklaratën e INDEP-it.

Akuza qeverisë për dështim në sektorin energjetik i drejtuan edhe përfaqësues të partive që mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë.