Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj tentativës për ndryshim të mënyrës së votimit gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke e quajtur këtë veprim arbitrar dhe në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës.
Në një deklaratë për media, KDI shpreh “shqetësim të thellë” për, siç thuhet, mënyrën jo të rregullt me të cilën është zhvilluar votimi gjatë seancës së sotme, duke theksuar se ndërhyrja e kryesuesit të seancës për të ndryshuar metodën e votimit “në mes të procesit dhe pa bazë procedurale” përbën shkelje të rëndë të praktikave demokratike parlamentare.
“Ndryshimi i rregullave gjatë lojës – veçanërisht kur vjen në funksion të kalkulimeve të brendshme politike – dëmton rëndë autoritetin e Kuvendit dhe minon besimin publik në integritetin e proceseve demokratike”, thuhet në reagimin e organizatës që monitoron nga afër punën e Kuvendit.
KDI i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Deharit, si dhe të gjithë deputetëve, veçanërisht grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të respektojnë standardet procedurale të përcaktuara me Rregullore dhe të veprojnë në përputhje me normat e përgjegjësisë institucionale dhe politike që kërkon funksioni përfaqësues.
Organizata përfundon duke theksuar nevojën për ruajtjen e integritetit të institucioneve dhe garantimin e transparencës në çdo hap të procesit parlamentar.
