Arbëri

Kërkohet vazhdimi i paraburgimit për të dyshuarit për dallavere në Byronë e Sigurimeve

Byroja Kosovare e Sigurimeve

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për ish-drejtorin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ish-drejtorin e Financave në BKS dhe dy persona të tjerë, nën dyshimin se kanë kryer vepra penale të natyrës ekonomike dhe të falsifikimit.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, ka bërë të ditur për KOHËN, se edhe për 35 të pandehurit e tjerë është kërkuar vazhdimi i masës së paraqitjes në stacion policor.

“Kërkesa e Prokurorisë u është dërguar mbrojtësve të të pandehurve dhe gjyqtari i procedurës paraprake do të vendosë brenda afatit ligjor për kërkesën e Prokurorisë”, ka thënë ai.

Gjykata pati vendosur për këta zyrtarë masën e sigurisë më 10 janar.

Ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, dyshohen se për më shumë se një vit kanë bërë qindra transaksione te llogaritë e ndryshme me pretendimin kinse në emër të pagesës së dëmeve. Sipas Prokurorisë, ata kishin keqpërdorur detyrën duke shkaktuar dëme mijëra euroshe. Ata dyshohen se kanë miratuar transaksione nga llogaria e BKS-së te llogaritë e personave të tjerë që janë paraqitur kinse si të autorizuar të palës tjetër për kompensim të dëmit material nga aksidentet e trafikut. E këta individë sipas dosjes veçse ishin kompensuar paraprakisht për aksidentet në fjalë.  Shuma më e vogël e transaksionit ka qenë 6 mijë e 800 euro, ndërsa transaksioni më i lartë 68 mijë euro.

Aty po ashtu është përmendur edhe dyshimi që ata kanë përfituar shuma të mëdha parash dhe se kjo ua mundëson ikjen e “sidomos duke marrë parasysh kushtet me liberalizimin e vizave”.

Që të dy dyshohen se në kundërshtim me rregullat e brendshme të këtij institucioni kanë keqpërdorur autorizimet nga BKS-ja dhe ia kanë mundësuar vetes fitime të mëdha, ndërsa Byrosë i kanë shkaktuar dëm prej më shumë se 1 milion eurosh.

Shumica e të tjerëve dyshohen për ndihmë në falsifikim të dokumenteve.

Në seancën e caktimit të masës së sigurisë, avokatët e Mazrekut dhe Berishës kishin thënë se masa e paraburgimit nuk mbështetet në asnjë provë.

Më 8 janar Prokuroria e Prizrenit dhe Policia patën zhvilluar një prej aksioneve më të mëdha në të cilin përfshiheshin shtatë komuna. Gjatë aksionit ishin arrestuar 39 persona nën dyshimin se kanë përfituar nëpërmjet dallavereve në Byronë e Sigurimeve.