Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se kërkesa e presidentes për interpretim nga Gjykata Kushtetuese, e paraqitur vetëm pak ditë para përfundimit të afatit 30-ditor për konstituim të Kuvendit, ngre disa dilema.
KDI-ja ka theksuar se posaçërisht pyetja e parashtruar në kërkesë se “çfarë ndodh pas 30 ditësh”, është çështje që ka mundur të sqarohej menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit në mënyrë që të sigurohej qartësi mbi pasojat juridike të monskonstituimit.
“Fillimisht, është e paqartë se ku qëndron pretendimi për ‘konflikt të kompetencave’ mes Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë në këtë moment, përderisa afati ende nuk ka përfunduar, dhe Kuvendi ka ende hapësirë për të përmbushur detyrimin e tij për konstituim. Në këtë kuptim, kërkesa duket se paragjykon rezultatin e ditëve të mbetura dhe dobëson pritshmërinë që deputetët ta përmbushin përgjegjësinë e tyre”, thuhet në komunikatën e Institutit.
Në anën tjetër, KDI e ka vlerësuar të paarsyeshme kërkesën për pezullim të afatit kushtetues, në formën e një mase të përkohshme, meqë sipas KDI-së e njëjta iu mundëson “komoditet”, për mosveprim subjekteve parlamentare dhe deputetëve.
“KDI konsideron që aktgjykimi i 26 qershorit është i qartë dhe ka përcaktuar afatin 30-ditor si detyrues dhe substancial për subjektet parlamentare, respektivisht deputetët. Në fakt, mosrespektimi i afatit përbën një dështim për të përmbushur një detyrim themelor kushtetues”, thuhet tutje.