Analisti Agim Sopi ka thënë se nëse Lidhja Demokratike e Kosovës vendos të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje për ta formuar qeverinë, atëherë do të zhduket nga skena politike.
Sopi në “Konfront” të KTV-së thotë se elektorati i LDK-së nuk do ta falte këtë.
“LDK-ja nëse shkon në koalicion me VV-në në këtë rast, madje edhe nëse e merr postin e kryeministrit, ajo do të bjerë e do të zhduket nga skena politike. E para, LDK-ja ka mbetur ekstrakt i LDK-së së madhe që ishte, e cila është shkapërderdhur për shkak të dëshpërimit, pasi një kohë të gjatë ka shërbyer si patericë e subjekteve tjera në momente të ndryshme krize”, tha Sopi.
Ai tha se do të ishte kulmi nëse LDK-ja futet në koalicion.
“Nëse sërish, kushdo që qoftë Abdixhiku apo ai që vjen pas tij, ndërmerr hap të tillë atëherë LDK-ja bëhet parti e pavlefshme. Do të bjerë diku nën Aleancën, nën 10 për qind dhe realisht do të zhduket nga skena politike”, tha Sopi.
Isufi: Qysh më 9 shkurt është ditur se do të ketë zgjedhje të reja
Elmaz Isufi, zëvendëskryeredaktor në KOHA, ka thënë se qysh pas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit është ditur se do të ketë sërish zgjedhje të reja. Kjo, sipas tij, sepse Albin Kurti e ka ditur se nuk mund të bashkëqeverisë me partitë e tjera dhe sepse nuk mundi të siguronte numrin që do t’ia mundësonte krijimin e qeverisë.
“Kurti në fushatë ka provuar të sigurojë numrin kritik për ta krijuar qeverinë pa këto parti sepse e ka pasë të ditur se me këto parti nuk do të arrijë të bashkëqeverisë. Prej kur ka dalë rezultati i zgjedhjeve është ditë se vendi do të shkojë në zgjedhje. krejt kjo histori 8 a 9 muaj është më shumë kalkulim, sepse kemi qenë edhe në një proces zgjedhor”, ka thënë ai në “Konfront”.
Isufi ka shtuar se s’pret që të formohet një qeveri, qoftë e përkohshme, parë nga e kaluara që komunikimi mes VV-së e partive të tjera ka qenë shumë i vështirë e ka pasur pak hapësirë për kompromis.
“Nëse i referohemi dy testeve që kanë ndodhur ndërkohë që ky proces gati po i mbush një vit që nuk po përmbyllet, rasti i votimit të kryeparlamentarit dhe nënkryetarit serb ku ka pasur jhëfarë kompromisi të vogël që e kanë bë në herën e parë PDK-ja e pastraj LDK-ja. Nuk di sa janë shpresëdhënëse se këto mund të hynë në një kompromis tjetër pak më të madh me VV-në për të krijuar qoftë përkohësisht qeverinë. Jam skeptik për arsyen tjetër sepse Albin Kurti refuzimin e partive opozitare nuk e ka këta muajt pas zgjedhjeve por refuzimin e ka për 4 vjet rresht. Komunikimi i VV-së me partitë tjera është pa që është jashtëzakonisht i vështirë. Nuk mbaj mend që ka pasur mirëkuptim reciprok gjatë kohës së Qeverisë Kurti në vendimmarrjet kryesore me interes shtetërore”.
Kasolli: Kurti s’është i interesuar për formim të Qeverisë, synim ka zgjedhjet lokale
Ish-deputeti dhe analisti Afrim Kasolli ka vlerësuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duket më shumë i përqendruar te zgjedhjet lokale sesa te formimi i Qeverisë së re.
Kasolli ka thënë se pozicioni aktual i Kurtit tregon se ai nuk ka shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë dhe se më shumë përpiqet të fokusohet në aktivitetet për fushatën e zgjedhjeve lokale.
“Kurti krijon përshtypjen se nuk është i interesuar ta formojë Qeverinë. Prej kur u mandatua nga presidentja, kohën më të madhe e ka kaluar jashtë vendit. E vetmja kohë kur qëndroi në Kosovë për ndonjë aktivitet politik ishte koalicioni në Vushtrri”, ka thënë Kasolli në “Konfront” të KTV-së.
Ai shtoi se deri tani nuk ka pasur asnjë ftesë publike nga Kurti për partitë e tjera për të diskutuar për formimin e qeverisë, duke theksuar mungesën e përpjekjeve edhe minimale për dialog politik.
“Pozicioni i fituesit të zgjedhjeve është i ndryshëm nga besimi i tepruar që e kanë mbajtur eksponentë të Vetëvendosjes, që trumbetonin me të madhe se numrat do t’i kemi kur të vijë koha”, përfundoi Kasolli.