Bujar Kaquri e ka përshkruar të rëndë situatën, që e ka gjetur në Fondin për Sigurime Shëndetësore, institucion në krye të të cilit është vënë pak ditë më parë. Tek ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave, ai ka thënë se ende nuk ka arritur ta kuptojë se sa borxh ka ky institucion ndaj spitaleve private. Deputetët, ndërkaq, janë treguar kritikë për mënyrën se si janë harxhuar milionat e shtetit, të dedikuara për trajtimin e pacientëve jashtë vendit
As pas afro dy muajsh nga raportimi i KOHËS për keqpërdorim të miliona eurove të dedikuara për shërim të pacientëve jashtë vendit, përfaqësuesit e Fondit për Sigurimet Shëndetësore (FSSH) nuk e dinë zyrtarisht sa u kanë borxh spitaleve private.
Gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit për pasqyrat financiare të Fondit për vitin 2021, kritika për keqmenaxhim dhe mostransparencë kanë dhënë deputetët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave.
Ditë më parë, Bujar Kaquri është caktuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Fondit, pas suspendimit të Fatmir Plakiqit. Ai e ka përshkruar si katrahurë gjendjen e institucionit, në krye të të cilit është vënë.
“Kryesisht trajtimi jashtë vendit bëhet në institucionet shëndetësore në Turqi, mirëpo ka edhe raste të tjera. Sipas informatave, që i kemi marrë, Komisioni për barazime ka punuar dhe është në procedim dhe ka dërguar kërkesa për barazim edhe tek institucionet jashtë vendit, mirëpo deri më sot nuk kemi pranuar ndonjë raport zyrtar të barazimit me ndonjë institucion jashtë vendit, e sidomos nga spitalet në Turqi”, ka thënë Kaquri.
Sipas tij, vlera e fletëzotimeve asnjëherë nuk është paraqitur si obligim financiar në Fondin për Sigurime Shëndetësore, nuk është paraqitur as para bordit drejtues të Fondit e as para auditorit.
“Vlera reale e fletëzotimeve nga ana drejtorit të Fondit nuk është paraqitur në asnjë raport zyrtar. I vetmi raport ka qenë në ish-Bordin për trajtim jashtë vendit”, ka thënë ai.
Ndërkaq, drejtori i Financave në Fond, Liridon Derivshaj, ka thënë se shumë gjëra i ishin mbajtur fshehtë gjatë kryerjes së pagesave.
“Vlera e fletëzotimeve në aspektin financiar nuk ka qenë asnjëherë e qasshme të paktën për pozicionin, që unë e udhëheq, me arsyetimin se është konflikt interesi, që të dihen diagnozat e pacientëve dhe i vetmi moment, që unë pranoj informata, që duhet të bëhet një pagesë është momenti, ku vendimi në këtë fazë aprovohet nga Bordi dhe duhet të raportohet në Ministri të Financave. Në fazën paraprake të gjitha qasjet i kam pasur të kufizuar”, ka thënë ai.
E tek u janë referuar gjetjeve të KOHËS, por edhe të Auditorit, deputetët kanë dhënë kritika për mënyrën se si është menaxhuar fondi.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka thënë se mbi 40 për qind të rasteve të trajtimit jashtë vendit bëhen për shkak të mungesë së materialeve shpenzuese.
“Kjo dukuri duhet të ndalohet dhe nuk ka mundësi që dikush të shkojë të trajtohet jashtë vendit, për shkak të mungesës së materialit shpenzues. Nuk mund dikush të shkojë për trajtim në Turqi pse nuk ka material shpenzues dhe arsyetimeve të kota. Kjo është vërtet keqpërdorim”, ka thënë Rrahmani.
Deputeti i Partisë Demokratike, Hajdar Beqa ka thënë se në bazë të raportit të auditorit, vetëm 55 pacientë kanë dorëzuar faturat e trajtimeve.
“Nga 88 mostra të testuara, në vlerë prej 4 milionë e 827 mijë eurosh te rastet e rregullta ose jo urgjente, vetëm 55 pacientë i kishin dorëzuar faturat e trajtimeve, përderisa pjesa tjetër e pacientëve nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit të subvencioneve nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Vlera financiare e rasteve, të cilat nuk i kishin dorëzuar dëshmitë për trajtime është 446 mijë euro”, ka theksuar Beqa.
Drejtues të Fondit theksuan se më 2021 është rritur numri i rasteve për trajtim jashtë vendit.