Arbëri

Kamberi për Osmanin: Në Prishtinë përgjegjësinë ia hedh Qeverisë, në Bruksel BE-së

Vjosa Osmani - Bruksel

Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” e sheh të befasishëm reagimin e presidentes, Vjosa Osmani, ndaj Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se reagimi i saj dukej më shumë populist.

Osmani para Samitit BE – Ballkani Perëndimor ka kritikuar shtetet e BE-së për qasjen ndaj Kosovës. Ajo është shprehur e zhgënjyer me mënyrën se si po trajtohet Kosova nga disa shtete anëtare.  

“Me befasi për dy arsye, njëra që kohët e fundit me institucionet e reja të BE-së duket që BE ka filluar të shprehë më shumë për zgjerimin, Ballkanin Perëndimor, dhe një lloj interesimi me sanksionu vendet që nuk e harmonizojnë politikën e tyre, dhe në anën tjetër vullnetin me planin e rritjes. Në anën tjetër e kemi deklaratën e presidentes, si në Kuvend, që dukej se kritikonte më shumë Qeverinë e Kosovës siç e thoshte për bixhoz me bashkësinë ndërkombëtare, e sot vetë ajo kritikon politikën evropiane”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

Kamberi ka shtuar se e sheh kundërthënës reagimin e presidentes në Bruksel, duke e krahasuar me fjalimin vjetor që mbajti në Kuvendin e Kosovës e ku e kritikoi Qeverinë për marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.  

“Po e shoh pak paradoks, qëndrimet, koherencën e presidentes sepse në një anë duket që për shkak të marrëdhënieve që nuk janë të mira mes Kosovës dhe aleatëve, në Prishtinë përgjegjësinë ia hidhte Qeverisë, e në Bruksel ka tendenca të duket sikur përgjegjësinë ua lë Brukselit dhe vendeve të BE-së. U befasova nga reagimi që dukej më shumë me doza dimension populist”, është shprehur ajo tutje.

Sipas Kamberit, dinamikat politike në Kosovë mund të ndryshojnë me ardhjen e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të shkurtit dhe me administratën e re të SHBA-së. Ai ka potencuar për zbatim të marrëveshjeve nuk ka pasur vullnet nga asnjëra palë.

“Palët nuk kanë pasur asnjë lloj vullneti politik për t’i zbatuar ato për të cilat janë marrë vesh. Serbia edhe pse e ka pranuar marrëveshjen, ka lobuar kundër anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, nuk i ka njohur simbolet, etj. Nga ana tjetër Kosova nuk ka treguar vullnet politik për t’i zbatuar ato që i ka pranuar, e kjo sigurisht është edhe formimi i Asociacionit. Kjo ka të bëjë me një mosbesim të ndërsjellë”.