Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka përfunduar vizitën në Serbi, e prej atje pritet të arrijë në Kosovë për të vazhduar më pas në Maqedoninë e Veriut.
Ajo i ka dhënë udhëheqësve serbë një mesazh të qartë.
“Mesazhi im për autoritetet në Beograd është i qartë. Dua ta shoh Serbinë që ec përpara BE-së. Për këtë, liderët politikë duhet të bëjnë reformat e nevojshme dhe të qartësojnë drejtimin strategjik. Kjo bëhet më së miri duke rikthyer besimin dhe duke qëndruar të vërtetë ndaj principeve demokratike”, ka shkruar Kallas në X.
Kallas, për vizitën në Kosovë nuk saktësohet se me kë do të takohet, që dallon shumë nga njoftimet precize që jepen për vizitat në Beograd dhe në Shkup nga shërbimi Evropian i veprimit të jashtëm (EEAS).
Përderisa për vizitat në Beograd dhe Shkup thuhet qartë se do t’i takojë presidentët, kryeministrat, ministrat e të tjerë, për vizitën në Kosovë vetëm thuhet se “do të takohet me përfaqësuesit e partive politike dhe organizatat e shoqërisë civile”.
Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, Kallas: Palët të kthehen në Bruksel sa më shpejt
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka thënë se është koha që Kosova dhe Serbia ta tejkalojnë të kaluarën dhe të punojnë për të ardhme të përbashkët.
“Nuk ka të bëjë vetëm me përmirësimin e marrëdhënieve, por është e një rëndësie esenciale për të ardhmen e Serbisë. Është koha të lihet prapa e kaluara dhe të punohet për të ardhmen e përbashkët. I ftoj përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës të vinë në Bruksel sa më shpejt të jetë e mundur dhe të diskutojnë për hapat konkret përpara”, ka thënë ajo.
Po ashtu, ka folur për situatën në rajon, me theks në Bosnje e Hercegovinë.
“Biseduam për situatën në Bosnje e Hercegovinë, i theksova Vuçiqit se e ardhmja e rajonit varet nga Serbia”, ka thënë Kallas në konferencë për media pas takimeve në Beograd.