Në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë, që sipas ligjeve në fuqi ka për detyrë të bëjë vlerësimin e aftësisë punuese të të punësuarve, shërbimi i ultrazërit nuk u ofrua për më shumë se tre vjet për mungesë të një radiologu. Zgjidhja për të u bë në qershor, por jo edhe për një aparaturë që zbulon defektet e kockave, e cila është jashtë funksionit që nga viti i shkuar
Ani se i pajisur me aparaturën e ultrazërit, kabineti i radiologjisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë së Punës në Gjakovë nuk e pati mundësinë ta përdorë atë për më shumë se tre vjet. Në mungesë të mjekut radiolog, shërbimet e ultrazërit nuk u ofruan fare e shërbimet e tjera radiologjike u lexuan nga profesionistë të fushave të tjera.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës, Albert Lila, ka thënë se deri sivjet nuk pati radiolog të interesuar, me gjithë hapjen e konkurseve.
“Kabineti i rëntgenit në këto vitet e fundit, deri në qershor 2023 ka punuar me personelin e aftësuar për punë, por në nivel të teknikut të lartë me bachelor dhe teknikut tjetër me përvojë mbi 20-vjeçare, por në mungesë të mjekut specialist. Fatbardhësisht, institucioni ynë, përkatësisht kabineti i radiologjisë prej 3 qershorit ofron shërbime specialistike të radiologjisë, me mjekun specialist i njohur për rrethin tonë në Gjakovë, i cili deri para një kohe ka punuar në spital”, ka thënë Lila.
Hiç ultrazërit, Qendra e Mjekësisë së Punës që ka për detyrë të bëjë vlerësimin e aftësisë punuese të të punësuarve nëpërmjet vizitave sistematike dhe periodike, të përcaktuara me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në punë, që nga viti 2022 ka mungesë të Densitometrisë. Kjo pajisje shërben për të zbuluar patologji të kockave të trupit.
Drejtori Lila ka treguar se janë në procedurë të blerjes së një aparature të re.
“Kemi qenë të parët në vend. Fatkeqësisht më 2022-tën aparati përkundër tentimeve dhe riparimeve, d.m.th. të kohëpaskohshme nëpër vite, ishte e pamundur të riparohet dhe ka dalë jashtë përdorimit dhe kemi arritë në 2023-tën që të sigurojmë fonde shtesë, me fonde të ShSKUK-së, jemi në procedurë të furnizimit me këtë pajisje mjekësore”, ka thënë Lila.
Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës është pjesë e Shërbimit Spitalor, Klinik e Universitar të Kosovës, që e bën këtë institucion përgjegjës për angazhim të stafit dhe furnizim me aparatura.
Nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS tash e sa ditë.