Arbëri

Izmaku: S’ka marrëveshje me PDK-në, Nisma ecën përpara me lidershipin e Limajt

Fatmir Limaj & Xhevahire Izmaku

Fatmir Limaj dhe Xhevahire Izmaku

Foto: Driton Paçarada

Ish-deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka reaguar lidhur me zërat për një bashkim të mundshëm me listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke thënë se një marrëveshje e tillë nuk ka ndodhur.

Në një shkrim në Facebook, Izmaku ka thënë se ditëve të fundit ka marrë shumë pyetje për këtë çështje, por ka theksuar se Nisma do të vazhdojë rrugën e saj politike e pavarur, nën lidershipin e Fatmir Limajt.

“Dua t’ju them me qartësi: ajo marrëveshje nuk ndodhi. Nisma do të ecë përpara, e pavarur, e përkushtuar dhe e mbështetur tek njerëzit që e besuan këtë rrugë dekada me radhë, nën lidershipin e provuar të Fatmir Limajt”, ka shkruar Izmaku.

Ajo shtoi se Nisma do të vazhdojë të jetë forcë politike që shërben interesat e qytetarëve dhe se politika për ta mbetet përgjegjësi dhe përkushtim.

“Ky është momenti ynë për t’u mobilizuar, për të qëndruar bashkë dhe për t’i treguar vendit se ka forcë politike që punon me dinjitet, sinqeritet dhe me vizion të qartë. Gara fillon”, përfundoi Izmaku.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Nisma pati garuar në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Fituan tetë deputetë, derisa tre prej tyre ishin nga Nisma.

E në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Nisma është rrugës për të garuar e vetme. Analistët e kanë parashikuar si të vështirë arritjen e pragut prej 5% nga partia e Limajt.