Tri institucionet kryesore shëndetësore në Kosovë nuk posedojnë të dhëna të sakta dhe të përditësuara për numrin e pacientëve të diagnostikuar me sëmundje dhe çrregullime të ndryshme. Në pyetjet që KOHA ua ka drejtuar SHSKUK-së, Ministrisë së Shëndetësisë e IKSHPK-së lidhur me një sërë sëmundjesh, nga këto institucione kanë ofruar të dhëna të mangëta e për ato më të plota ia kanë adresuar përgjegjësinë njëra-tjetrës
Institucionet shëndetësore në Kosovë kanë mungesë të të dhënave të sakta dhe të përditësuara për numrin e personave të diagnostikuar me sëmundje dhe çrregullime të ndryshme.
Në kërkesën e KOHËS për të siguruar statistika krahasimore nga viti në vit për rastet me autizëm, sindromë down, hiperaktivitet, skizofreni, alzhaimer e për përdorues të substancave narkotike, nga Qendra Klinike Universitare, Ministria e Shëndetësisë dhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë ofruar të dhëna të mangëta.
Në Klinikën e Psikiatrisë, në kuadër të QKUK-së, thanë se sivjet janë diagnostikuar dhe trajtuar 395 raste me autizëm, porse nuk ofruan të dhëna për vitet e mëparshme. Për to, adresë reference e kanë paraqitur IKSHPK-në.
“Dua t’ju informojmë se ne si Klinikë e Psikiatrisë nuk kemi informata për numrin e tërësishëm të të sëmurëve me Çrregullime Mendore në nivel vendi, por besojmë se këto informata mund t’i kërkoni në IKSHP. Ne mund të japim informata për numrin e personave që janë diagnostikuar dhe kanë kërkuar trajtim në repartet e Klinikës së Psikiatrisë, qoftë si shërbime ambulatore ose spitalore deri në këtë periudhë të vitit”, thuhet në përgjigjen nga Klinika e Psikiatrisë.
Sipas kësaj klinike, sivjet janë diagnostikuar dhe trajtuar 660 raste me hiperaktivitet, janë hospitalizuar 300 pacientë me skizofreni e janë trajtuar 3 mijë e 500 syresh, ndërsa 120 pacientë morën trajtim spitalor për abuzim me narkotikë.
Tek është theksuar se ka pasur rritje të rasteve me çrregullimet e ankthit, në këtë klinikë nuk sqaruan se si është nxjerrë ky konstatim dhe as nuk kanë dhënë shifra krahasimore nga vitet paraprake.
“Kemi shënuar rritje të rasteve me ankth dhe çrregullimet që ndërlidhen me ankthin”, thuhet tutje në përgjigje të kësaj klinike.
Profesionistë shëndetësorë alarmojnë në vazhdimësi për rritjen e numrit të të diagnostikuarve me sëmundje të ndryshme. Në fillim të nëntorit, psikiatria Adelina Ahmeti i pati thënë KOHËS se tendencë të rritjes ka te fëmijët me çrregullimin e hiperaktivitetit, ani se për këtë ka theksuar se nuk ka matje statistikore.
Të pyetur rreth këtij dhe të çrregullimeve e sëmundjeve të tjera, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë që informatat të kërkohen nga SHSKUK-ja, ndërsa të dhëna kanë ofruar për rastet me sëmundje të rralla, nga viti i shkuar.
“Sa u përket pacientëve me sëmundje të rralla, të bashkëngjitur gjeni të dhënat të nxjerra nga koncept-dokumenti i aprovuar në vitin 2022. Sigurisht që këto të dhëna mund të kenë ndryshuar dhe për përditësimin e tyre duhet kërkuar të informata nga SHSKUK. Ndërsa, më poshtë gjeni përgjigjet edhe për pyetjet e tjera nga drejtori i Klinikës Psikiatrike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Edhe në IKSHPK, që është institucioni më i lartë përgjegjës shëndetësor, ofruan të dhëna të 2022-tës për rastet me autizëm, skizofreni e të çrregullimeve mendore shkaku i përdorimit të opoidëve.
“Numri i personave të raportuar me autizëm (F84) në IKSHPK për vitin 2022 është 1. Numri i personave të raportuar me skizofreni (F20) në IKSHPK për vitin 2022 është 703. Numri i personave të raportuar me çrregullimet mendore për shkak te përdorimit te opioideve (F11) në IKSHPK për vitin 2022 është 19”, thuhet në përgjigje të këtij institucioni.
Shëndetësia në Kosovë ende nuk e ka të funksionalizuar Sistemin Informativ Shëndetësor, që e bën gjenerimin, përpilimin, analizimin, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave për sektorin publik dhe për atë privat shëndetësor.