Arbëri

Inspektorati në Lipjan vazhdon me rrënimin e objekteve pa leje

Ndertime pa leje Lipjan

Inspektorati në Komunën e Lipjanit edhe gjatë ditëve të fundit ka vazhduar me aksionin e rrënimeve tek objektet pa leje dhe parandalimin e ndërtimeve të tilla në zona të ndryshme të qytetit.

Aksioni i nisur rreth dhjetë ditë më parë ka rezultuar me dhjetëra rrënime dhe parandalime në ndërtime pa leje. Së fundi rrënime dhe parandalim të ndërtimeve janë bërë edhe në një universitet privat në afërsi të Lipjanit derisa sipas inspektoratit në mënyrë të kundërligjshme është synuar të ndërtohej një kat në mbi ndërtim të objektit. Ndërkohë edhe në pjesën tjetër të qytetit në drejtim të fshatit Banullë është rrënuar një objekt ndërtimor dy katërshe i cili ishte ndërtuar pa leje ndërtimore. Po ashtu rrënime të tilla kanë ndodhur edhe në pjesë të tjera të qytetit duke përfshirë edhe parandalimin e ndërtimit të një restoranti përgjatë shëtitores së qytetit. Të gjitha rrënimet kanë ndodhur me prezencën e Policisë së Kosovës, ndërkohë pronarët e objekteve sipas zyrtarëve komunal nuk kanë kundërshtuar gjatë procedurës.

Hyra Bytyqi, zëdhënëse e Komunës së Lipjanit ka thënë për KOHËN se inspektorët komunalë vazhdimisht po qëndrojnë bë terren për ta ruajtur pronën publike dhe për t’i parandaluar ndërtimet pa leje. Sipas saj gjatë ditëve të fundit në dhjetëra raste janë vendosur shirita të sigurisë nga inspektorët duke i parandaluar këto shkelje.

“Inspektorati i komunës së Lipjanit, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme sipas procedurave ligjore për ndërtime pa leje, mirëpo edhe përkundër këtyre masave nga ana inspektoratit, prapë kanë vazhduar ndërtimet pa leje. Ndërkohë sipas procedurave në këto raste drejtoria e inspektoratit ka marrë vendim për rrënimin e tyre, pra për ata që nuk i kanë përfill kërkesat procedurale të institucionit të komunës”, ka thënë Bytyqi. Sipas saj, ka raste kur palët kanë kërkuar kohë shtesë për vet rrënim, mirëpo edhe përkundër kohës dhe mundësisë që i është dhënë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. “Prandaj Inspektorati është detyruar të veproj sipas procedurave ligjore për t’i rrënuar ato objekte pa leje”, ka shtuar Bytyqi.

Koha ka provuar të marrë ndonjë deklaratë nga njëri prej ndërtuesve pa leje, por ai nuk ka pranuar të flas e as t'i përmendej emri rreth kësaj çështje.