Arbëri

Inspektorati i Punës po e trajton largimin kolektiv nga puna në “NewCo Ferronikeli”

Ferronikeli

Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se është duke trajtuar ankesën e një punëtori të  kompanisë ”NewCo Ferronikeli Complex L.L.C”, për largimet kolektive nga puna. 

Ai është ankuar se punëtorët nën presion po detyrohen dhe të nënshkruajnë marrëveshjet për largim nga puna. 

“Ju konfirmojmë pranimin e emailit tuaj. Ju njoftojmë se me datë: 04.11.2025 kemi proceduar rastin për inspektim, në pajtim me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv në Inspektoratin Qendror të Punës, Rizah Plakolli për punëtorin që është ankuar.

Kompania ”NewCo Ferronikeli Complex L.L.C” të mërkurën ka njoftuar se do të aplikojë largime kolektive nga puna siç thuhet, në përputhje me Ligjin e punës. 

Në një komunikatë për media thuhet se kompania e ka të pamundur të operojë me të gjithë punëtorët, për shkak të ndaljes së gjatë të aktiviteteve prodhuese dhe kushteve të vështira të tregut që sipas tyre, vazhdojnë të ndikojnë shitjet dhe fitimet.

Në ankesën e punëtorit bërë në Inspektorat thuhet se detyrimet për nënshkrim të largimeve nga puna kanë filluar pas kësaj komunikate. 

“Pas publikimit të njoftimit zyrtar të kompanisë për largimet kolektive (Nr. prot. 163, datë 5 Nëntor 2025), punëtorët po detyrohen të nënshkruajnë dokumente për ndërprerjen e marrëdhënieve të tyre të punës. Ky detyrim po kryhet nën presion, madje edhe gjatë orëve të vona të natës (deri në ora 22:00), ku punëtorët janë parë duke hyrë vetëm për të nënshkruar largimin”, thuhet në ankesën e punëtorit.