Arbëri

INPO kërkon që kontrata për shtypje të fletvotimeve të auditohet nga ZKA-ja

INPO

Organizata INPO ka kërkuar që Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ta auditojë kontratën në mes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe kompanisë ku janë shtypur fletëvotimet broshurat dhe listat e votuesve për zgjedhjet lokale, CETIS d.d. në Slloveni.

Sipas INPO-s auditimi duhet të bëhet për të vlerësuar zbatimin e standardeve të sigurisë ISO, përputhshmërinë me Ligjin për Prokurim Publik dhe shkallën e mbikëqyrjes së ushtruar nga KQZ gjatë procesit të shtypjes së fletëvotimeve. 

“Ky auditim është thelbësor për të rikthyer besimin e publikut në integritetin e procesit zgjedhor dhe për të garantuar transparencën e institucioneve përgjegjëse. Ngjarja e Mitrovicës nuk është thjesht një “defekt teknik”, por një dështim në zbatimin e mekanizmave të sigurisë dhe gjurmueshmërisë që duhet të jenë themel i çdo procesi zgjedhor”, thuhet në një komunikatë të INPO-s. 

Tutje thuhet se analiza që ka bërë kjo organizatë tregon se KQZ-ja ka kërkuar që operatori ekonomik të posedojë certifikatat ndërkombëtare të sigurisë ISO 9001, ISO 14298 dhe ISO 27001, të cilat thuhet se përfshijnë sistemin për kontrollin dhe gjurmueshmërinë digjitale të dokumenteve të sigurisë (audit trail digital) – një mekanizëm që thuhet se garanton ndjekjen elektronike të çdo fletëvotimi nga momenti i shtypjes e deri në dorëzimin përfundimtar. Megjithatë thuhet se INPO ka gjetur se ndonëse këto certifikata janë kërkuar në tender, “KQZ-ja në kontratë, nuk ka kërkuar që OE-ja të ofrojë raportin e auditimit digjital, raport i cili do të mundësonte verifikimin e saktë të procesit të shtypjes dhe identifikimin e menjëhershëm të çdo defekti teknik”.

Në letrën e saj zyrtare të datës 11 nëntor 2025, kompania CETIS ka theksuar se defekti në numërimin e fletëvotimeve për komunat Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovë ka ndodhur si pasojë e mosfunksionimit të një prej kokave të printerit që shtypte numrin e qendrës së votimit në fletëvotim. Kompania po ashtu ka deklaruar se sistemi i saj i kontrollit të cilësisë bazohet në verifikime me mostra dhe se “gabimi nuk është zbuluar gjatë procesit të shtypjes”, pasi nuk ka pasur monitorim të vazhdueshëm të serive. 

“Ky sqarim zyrtar e konfirmon vlerësimin e INPO-s se sistemi i auditimit digjital nuk është zbatuar praktikisht në këtë kontratë, pavarësisht se është pjesë thelbësore e standardit ISO 14298. Si rrjedhojë, KQZ nuk ka pasur në dispozicion raportin teknik, ose deri më sot nuk janë dhënë informata se ekziston një raport i tillë, që do t’i mundësonte me saktësi gjetjen se në cilën fazë (shtypje, paketim apo transport) ka ndodhur defekti teknik”, thuhet në reagimin e INPO-s.

Gjatë verifikimit të votave për kryetar të komunës në Mitrovicë, janë evidentuar fletëvotime me numra serikë që nuk përputhen me vendvotimet përkatëse, si dhe fletëvotime pa numër serik.

Pas kësaj Prokuroria pati urdhëruar që procesi i verifikimit të  votave në këtë komunë të ndërpritet, për të lejuar pastaj rifillimin e tij, pasi sqarimeve që thuhet se kanë marrë nga KQZ-ja dhe kompania që ka shtypur fletëvotimet. 

PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë, ndërsa e VV-ja ka vlerësuar se ndryshimi i numrave serik të fletëvotimeve nga numri i klasave ku është votuar, është gabim teknik. 

Derisa KQZ-ja dhe kompania që i ka printuar ato i kanë konsideruar si gabime teknike, në PDK e kanë vënë në dyshim një gjë të tillë.

Për kryetar të Mitrovicës në garë ishin Arian Tahiri i PDK-së e Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje. 
Sipas rezultateve preliminare, fitues doli Peci me 2 mijë e 315 vota më shumë.