Arbëri

Iniciohet kallëzim penal ndaj Komunës së Ferizajt për dhënien e lejeve ndërtimore pa kritere

Banorët e lagjes “Gëzim Salihu” në qytetin e Ferizajt kanë iniciuar kallëzim penal ndaj Komunës dhe ndërtuesve të banesave shumëkatëshe me arsyetimin se po shkelen ligjet dhe kriteret e ndërtimeve. Në shenjë pakënaqësie, të premten ata kanë bllokuar rrugën e lagjes.

“Shqetësimet tona që na kanë sjellë në gjendje të protestojmë janë ndërtimet shumëkatëshe në këtë lagje, kur dihet se kjo ka qenë lagje e urbanizuar së bashku me lagjen tjetër të asaj rruge dhe rrugës tjetër”, ka thënë Fekir Tahiri, banor i kësaj lagjeje.

Ai ka bërë të ditur se shqetësimin e tyre e kanë ngritur edhe në takimin me zyrtarët komunalë, porse nuk ka pasur pezullim të punimeve.

“Në një takim që kemi pasur në Komunë, në Drejtorinë e Urbanizmit, ata kanë thënë se objektet që kanë leje do të ndërtohen. Ne kemi kërkuar që të bëhet edhe një takim tjetër, por nuk është realizuar. Për ndërtime të larta në këtë lagje asnjëherë nuk janë pyetur qytetarët, mirëpo nëse këto objekte që kanë filluar do të ndërtohen dhe nëse ato i plotësojnë kriteret e urbanizmit, atëherë nuk do të jemi kundër, por ne konsiderojmë se këtu nuk është në rregull dhe ka hapësirë për Prokurorinë e Shtetit dhe për organet e tjera që merren me dhënien e lejeve ndërtimore”, ka thënë Tahiri.

Banori tjetër, Valdet Haxhimusa, ka treguar se banorët u janë drejtuar organeve të shtetit duke iniciuar kallëzim penal ndaj komunës dhe ndërtuesve.

“Tashmë i kemi nisur rrugët ligjore për t’i hetuar këto ndërtime në lagjen tonë, ndërkohë e kemi takuar edhe kryeprokurorin në Ferizaj, kemi bërë edhe kallëzim penal për kompanitë dhe për Komunën që i ka lëshuar pëlqimet teknike. Po ashtu lëvizja e kamionëve pa asnjë kriter në këtë lagje, megjithëse shenja e komunikacionit ua ndalon qarkullimin e tyre në këtë lagje”, ka thënë Haxhimusa.

Arbër Bytyqi, drejtor për Urbanizëm në Komunën e Ferizajt, ka thënë se në kohën kur ishin në opozitë e kanë kundërshtuar hartimin e dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal, i cili përcakton zonat e ndërtimit të lartë, ndërkohë atë dokument po detyrohen ta zbatojnë sipas ligjeve në fuqi.

“Ne i inkurajojmë banorët që nëse vërejnë se nuk janë respektuar aspektet ligjore, t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre. Mirëpo e thashë edhe më herët se në bazë të dokumenteve të planifikimit aty është paraparë ndërtim i lartë dhe duhet të respektohet ky dokument i planifikimit”, ka thënë Bytyqi.

Ai sqaron se është takuar me banorët dhe ua ka shpjeguar se kjo zonë sipas Planit zhvillimor komunal parasheh ndërtim të lartë, andaj si komunë nuk mund t’ia ndalojnë askujt dhënien e lejes ndërtimore nëse plotësohen kriteret e ndërtimit dhe shfrytëzimit të hapësirës.

“Këto biznese janë të pajisura me leje ndërtimore dhe gjithçka është në harmoni ligjore, prandaj nuk ka hapësirë për shqetësime, sepse ne do t’ua kthejmë përgjigjet banorëve pas kërkesave dhe ankesave të adresuara në Komunë”, ka shtuar Bytyqi.