Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dorëzuar padi në Gjykatën Administrative kundër Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar anulimin e vendimit për ndërprerjen para kohe të mandatit të Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Sipas IKD-së, mandati i Komisionit ishte i vlefshëm deri më 15 dhjetor 2026, ndërsa Kuvendi e ka zëvendësuar tërësisht përbërjen e tij pa bazë të qartë ligjore, pa procedurë të rregullt dhe pa arsyetim juridik.
Në padi, IKD-ja vlerëson se vendimi i datës 27 prill është i kundërligjshëm dhe arbitrar, pasi Ligji për Provimin e Jurisprudencës i jep Kuvendit kompetencë vetëm për emërimin e anëtarëve të Komisionit dhe jo për ndërprerjen e mandatit të tyre para kohe.
Sipas IKD-së, mungesa e dispozitave ligjore për shkarkim nuk mund të interpretohet si autorizim për ndërhyrje në mandatin e një organi të pavarur profesional. Në padi theksohet se kompetenca për emërim nuk nënkupton automatikisht edhe kompetencën për shkarkim apo zëvendësim të anëtarëve gjatë mandatit.
“Po ashtu, IKD në padi ka theksuar se vendimi i kontestuar nuk përmban asnjë arsyetim lidhur me nevojën për ndërprerjen e mandatit të Komisionit ekzistues, nuk identifikon asnjë shkelje konkrete nga ana e anëtarëve të Komisionit dhe nuk jep asnjë shpjegim mbi bazën ligjore që ka shërbyer për zëvendësimin e tij para përfundimit të mandatit ligjor. Në këtë drejtim, IKD-ja konsideron se vendimi i Kuvendit është nxjerrë edhe në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, pasi mungon arsyetimi juridik dhe faktik i aktit administrativ, duke cenuar parimet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe pritshmërive legjitime”, thuhet në komunikatë.
Në padi, ky institut ka paralajmëruar se ky veprim krijon precedent të rrezikshëm institucional, pasi mund të hapë rrugë për ndërprerjen e mandateve të organeve profesionale pa kritere të qarta ligjore dhe pa procedura të rregullta.
-
IKD: Ndryshimi i përbërjes së Komisionit për provimi e jurisprudencës është i kundërligjshëm
-
IKD: Legjislatura e dhjetë me mungesë transparence dhe ligje të përshpejtuara
-
IKD-ja kritikon Legjislaturën e X-të: Shkelje procedurash dhe mungesë llogaridhënieje
-
IKD: Procesi për zgjedhjen e presidentit, cenim serioz i rendit kushtetues
-
IKD: Nuk marrim pjesë në konsultime formale për Projektligjin për Byronë