Për vetëm një vit, orkestra e fëmijëve dhe të rinjve, “Amadeus”, ka vulosur emrin e Kosovës në tri vende të botës. Pas triumfit në Austri e në Spanjë, kapitulli i radhës është ai në Çeki. Por në ”Musica Orbis Festivals” në Pragë s’i ka mjaftuar vetëm Medalja e Artë. Ka marrë edhe tri çmime të tjera e pos suksesit, edhe në këtë skenë ka lënë jehonën e muzikës shqipe
Orkestra e fëmijëve dhe e të rinjve “Amadeus” tashmë është bërë e patejkalueshme në secilin destinacion, dhe parashikimi se prej garës së radhës do të mund të kthehej me çmim, ka dalë të jetë i gabuar.
“Amadeusit” në ”Musica Orbis Festivals” në Pragë s’i ka mjaftuar vetëm Medalja e Artë. Ka marrë edhe tri çmime të tjera: Çmimin special për koncertmjeshtrin e orkestrës, Elton Syla, si violinist solist, Çmimin special për violinistin më entuziast nga violinat e para, Princ Fanaj dhe Çmimin e publikut e të adhurueseve. Por mbi të gjitha, një formacion si ky ka lartësuar emrin e Kosovës dhe kjo nuk është hera e parë. Është suksesi i tretë brenda një viti, pas triumfit në Austri dhe në Spanjë. Në Pragë ka impresionuar jurinë, medaljet janë konfirmimi e imazhet që vijnë prej atje, shënojnë kapitullin e paraqitjet mbresëlënëse.
“Nga Praga, orkestra ‘Amadeus’ i sjell Kosovës Medaljen e Artë dhe jo vetëm. Me plot emocion e mburrje ndajmë lajmin e mrekullueshëm se orkestra e fëmijëve dhe të rinjve ‘Amadeus’ u shpërblye me katër çmime në festivalin ndërkombëtar të orkestrave ‘Musica Orbis’ në Pragë”, ka qenë lajmi i kumtuar të shtunën vonë. “Orkestra që vazhdon të bëjë krenarë gjithë Kosovën ju falënderon të gjithëve për përkrahjen e madhe!”, shkruhet në fund të postimit.
Se qe një fillim i mbarë, u pa qysh në paraqitjen e parë, në hapje të “Musica Orbis” që sivjet erdhi me edicionin e tetë prej 9 deri më 13 korrik. Tri paraqitje kanë qenë të rezervuara për “Amadeusin”. Pos asaj në koncertin e hapjes, pasuan gala-koncerti dhe ai para Jurisë të shtunën. E, salla madhështore e asaj që njihet si “Národní dům na Vinohradech” që në përkthim të thjeshtë i bie “Shtëpia Kombëtare e Vreshtave” jehoi shqip sapo 60 e sa anëtarët e orkestrës u ngjitën në skenën e monumentit të vitit 1894 në stilin e Neo-Renesancës, projektuar nga Antonin Turek, me tri salla prej të cilave më e madhja me kapacitet prej një mijë e 500 ulësesh. Është vepra “Malësorja” e Lorenc Antonit që ka hapur secilën paraqitje prej 25 minutash të Orkestrës së themeluar më 2015, e cila u ka lënë vend veprave “Palladio” të Karl Jenkinsit, kohës së parë të “Simfonisë së 45-të” të Hydnit, uvertyrës “Egmont” të Beethovenit, “Can Can from Orpheus in the Underworld” të Jasques Ofenbachut, “Amperito Roca” të Jaime Texidorit për ta përmbyllur me “Trisch-Trash Polka” të Johan Strauss II. Një program sfidues edhe për alamet orkestrash dhe Juria është impresionuar për këtë.
Vehbi Shosholli është dirigjenti i “Amadeusit”, në krye të atij që cilësohet “ekipi vetëmohues” i përbërë edhe nga drejtoresha Hana Petrovci, zëvendësdrejtoresha Vanesa Petrovci-Shabani dhe koordinatorja Arta Rexhepi. Shosholli në një bisedë për KOHËN, të dielën nuk ka folur vetëm për medaljet. Ka folur edhe për jehonën dhe bisedat në prapaskenë.
Edhe
Orkestra ”Amadeus” akordohet për Pragë

“Kritikat dhe lëvdatat kanë qenë tepër të mira dhe kemi pranuar shumë mesazhe: ‘Ju lumtë për punën që bëni, jeni orkestër që me të vërtetë na keni lënë përshtypje për programin që keni luajtur, mënyrën se si keni luajtur dhe tonin orkestral që keni’”, ka cituar Shosholli.
Sipas tij, e befasuar ka qenë veçmas juria. “Është befasuar nga niveli i orkestrës dhe i vështirësisë së programit që kemi luajtur dhe që aq bukur e kemi realizuar”, ka thënë dirigjenti.
Qysh kur ishte pranuar të jetë pjesë e Festivalit, në fund të vitit të kaluar “Amadeus” e përberë nga instrumentistë prej 10 deri në 17 vjeç, kishte nisur përgatitjet.
“Programi është tejet sfidues dhe shumë profesional. Programi që luajmë është program i denjë edhe për orkestra të të rriturve (orkestra profesionale) bile edhe për të tilla orkestra është tejet sfidues”, ka thënë Shosholli.
Pak ditë para se të ateronin drejt Pragës, Shosholli kishte thënë kishte pritje të larta.
Edhe
“Amadeus” me muzikantë të rinj lartëson emrin e Kosovës në Vjenë
”Por normalisht ne asnjëherë nuk e dimë se çfarë konkurrence na pret dhe nuk jemi të njoftuar për konkurrencën që e kemi, por mbetet të shihet në vazhdim. Për dallim prej Spanjës, pjesëmarrja në Çeki është dukshëm më e rëndësishme sepse cilësohet si një ’Vjenë e Vogël’ dhe ka prestigj e vlerë të madhe në botë si vend në muzikën klasike”, kishte thënë Shosholli. Kishte “gabuar”. Fitorja e katërfishtë në Pragë nuk lë vend për dilema.
Suksesin si ky Ambasada e Kosovës në Çeki ka shkruar ta ketë pritur, teksa ka uruar anëtarët dhe ekipin e “Amadeusit”.
“Ky është një sukses që na bën krenarë të gjithëve dhe një promovim i shkëlqyer i Kosovës në arenën ndërkombëtare”, shkruhet në postimin e Ambasadës së Kosovës në Pragë.
“Musica Orbis” ka peshë në skenën muzikore. Sipas ueb-faqes së Festivalit, që prej vitit 2019 më shumë se 60 kore dhe 1800 muzikantë nga e gjithë Evropa dhe Amerika kanë mbushur me zërat dhe instrumentet sallat historike. Përmban dy festivale: “Prague Festival” që është Festivali Ndërkombëtar i Koreve dhe Orkestrave në Pragë dhe “Gloria Festival” - Garë Ndërkombëtare e Koreve në Pragë.
“Dy herë brenda vitit, festivalet ’Musica Orbis’ mirëpresin koret dhe orkestrat amatore nga e gjithë bota në qytetin magjepsës të Pragës. Të njohura për atmosferën e tyre të ngrohtë dhe mikpritëse, qasjen personale ndaj pjesëmarrësve dhe organizimin e kujdesshëm deri në detaje, këto festivale ofrojnë një përvojë muzikore të paharrueshme për çdo pjesëmarrës”, shkruhet në uebfaqen e ”Musica Orbis”.
Edhe
“Okarina” e çon zërin e Kosovës në skenat më prestigjioze të Gjermanisë
E, paharrueshme është tashmë edhe për Kosovën me “Amadeusin”. Njësoj sikurse në Austri e në Spanjë. Në korrikun e vitit të kaluar në edicionin e 11-të të Festivalit Botëror të Orkestrave, formacioni nga Kosova mori Medaljen e argjendtë. Do të ishte interpretimi i “Malësores” së Lorenc Antonit pika vendimtare e këtij suksesi. “Si çdo muzikant tjetër, e kam ëndërr të vizitoj salla të tilla, e lëre më të koncertoj këtu. Është përmbushje, arritje, kënaqësi dhe mburrje, me veten dhe nxënësit e mi”, do të thoshte atë kohë dirigjenti Shosholli. “Përmbushje, arritje, kënaqësi dhe mburrje” jo vetëm për të por edhe për vendin që përfaqëson, qe edhe kapitulli në Spanjë në marsin e sivjetmë. E nderua me çmimin më të lartë, ”Grand Prix” dhe vendin e parë të Festivalit ”Spring Symphonies” në qytetin bregdetar Lloret de mar.
E hëna e 20 marsit, “Amadeusin” do ta gjejë Prishtinë në “Rame Lahaj International Opera Festival”. Jo thjesht si një Orkestër të fëmijëve dhe të të rinjve. Por si një orkestër që po shkruan histori në skenat botërore, e së cilës nuk i mjafton vetëm medalja e artë sikurse rasti në Pragë.
