Prokuroria në Ferizaj ka njoftuar se ka ndaluar një person të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, pasi në mëngjesin e së hënës një punëtor vdiq pasi ka rënë nga kati i gjashtë i një objekti në ndërtim, ku ishte i angazhuar. Sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, përgjegjësia për sigurinë në vendet e punës bie mbi pronarët e kompanive
Një 59-vjeçar ka mbetur i vdekur në Ferizaj, pasi të hënën ka rënë nga kati i gjashtë i një objekti në ndërtim, ku ishte i angazhuar si punëtor, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ai ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Remzi Hoxha”, ndërsa ekipet emergjente kanë konstatuar vdekjen e punëtorit në vendin e ngjarjes.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje, ku edhe ekipet emergjente kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Dyshohet se viktima është një mashkull 59 vjeç, i cili ka rënë nga kati i 6-të i objektit në ndërtim gjatë punimeve”, ka thënë Veseli.
E Prokuroria në Ferizaj ka njoftuar se lidhur me këtë rast ka ndaluar një person të dyshuar për veprën penale: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Në njoftim është theksuar se Prokurori i Shtetit ka udhëzuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të këtij rasti.
Në fakt ky nuk është rasti i vetëm i humbjes së jetës në vendin e punës gjatë këtij viti.
Vetëm në dy javët e fundit, përfshirë edhe rastin në Ferizaj, janë shënuar tri viktima, ndërsa që nga fillimi i vitit 2026 numri i rasteve të tilla ka arritur në shtatë.
Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, përgjegjësia për këto raste bie kryesisht mbi pronarët e kompanive.
“Në radhë të parë barrën kryesore për këto veprime duhet ta mbajë pronari i kompanisë, sepse ai duhet t’i sigurojë kushte normale, të ketë një përkujdesje shumë të madhe për punëtorët, për punën që e bëjnë, sepse ai është personi përgjegjës. Pastaj, përveç pronarëve të kompanisë, është edhe Inspektorati i Punës, i cili nuk është duke e kryer punën si duhet, për vetë faktin që kemi kaq shumë numër të rasteve të vdekjes në vendet e punës. Kjo bën me dije që ndoshta ata thonë që po bëjmë një punë shumë të madhe, por të dhënat statistikore po tregojnë që në realitet në Evropë jemi shteti me humbje më të mëdha të jetëve te punëtorët e sektorit privat”, ka thënë Azemi
Sipas tij, punëtorëve shpesh nuk u kryhen as kontrollet mjekësore, pasi ato nuk kërkohen as nga kompanitë dhe as nga institucionet mbikëqyrëse.
“Vetë fakti kur pjesa dërrmuese e punëtorëve privatë të sektorit janë pa kontrata pune, që është njëfarë pune alfa dhe omega mes raportit punëdhënësit dhe punëmarrësit, kur kjo nuk ekziston atëherë mos të flasim për kontrollet shëndetësore, të cilat janë të obliguara që së paku minimum çdo 6 muaj duhet të bëhen, po themi kështu kontrollet te mjekët, por faktikisht kjo nuk ekziston dhe as nuk vlen, dhe asnjëherë pronarët e kompanive as Inspektorati i Punës nuk e kërkojnë këtë kontroll”, është shprehur ai.
Pos përgjegjësisë së kompanive që angazhojnë punëtorë, sipas Milaim Morinës, drejtor i Qendrës për Politika dhe Avokim, ajo bie edhe mbi institucionet.
“Inspektorati Qendror i Punës edhe pse ka caktuar inspektor të sigurisë dhe shëndetit në pune, kjo nuk ka ndikuar në parandalimin e aksidenteve me fatalitet. Problemi kryesor qëndron tek analiza që duhet bërë se cilët sektorë paraqesin risk të lartë, dhe fokusi të jetë aty. Po ashtu duhet të ketë kampanja vetëdijesuese/edukuese më të shpeshta, veçanërisht në sektorë që paraqesin risk të lartë, p.sh. ndërtimtaria, minierat, prodhimi. Ligjet aktuale janë substancialisht të mjaftueshme, problem paraqet moszbatimi i tyre, dispozitat ligjore janë mjaftë të qarta se çfarë masash duhen të ndërmerren për të krijuar kushte adekuate për sigurinë në punë, masat që duhet të aplikohen, obligimet për trajnim të punëtorëve varësisht nga sektori ku punojnë, obligimi për sigurim të vendit të punës, bartje e pajisjeve personale mbrojtëse”, ka thënë Morina.
Sipas tij, Inspektorati duhet të jetë më rigoroz në aplikimin e masave ndëshkimore më të ashpra, të bëjë kontrolle më të shpeshta sektorëve me risk të lartë.
“Duhet të obligojë punëdhënësit që të bëjnë vlerësimin e riskut në vendet e punës, dhe të kontrollojë a janë bërë vlerësimet e risqeve bazuar në gjendjen faktike”, ka thënë Morina.
Për numrin e punëtorëve që kanë humbur jetën në vendet e punës, ka të dhëna të ndryshme
Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, Vesel Zhinipotoku, në një intervistë për transmetuesin publik, pati thënë se gjatë vitit të kaluar 19 raste kanë përfunduar me fatalitet.
E sipas të dhënave të Sindikatës, gjatë vitit 2025 kanë vdekur 32 punëtorë në vendet e punës.
Inspektorati i Punës ka njoftuar se gjatë vitit 2025 janë shqiptuar 1,747 masa ndëshkimore ndaj subjekteve që kanë shkelur dispozitat ligjore.