Arbëri

Hoxhaj kërkon shtyrjen e Konventës së PDK-së: Partia ka nevojë për drejtim të ri, jo skema të vjetra

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se konventa e partisë për të zgjedhur kryetarin, e cila është caktuar për të hënën e javës së ardhme, duhet të shtyhet. 

Kjo pasi sipas tij “një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtjesore në një kohë kaq të shkurtër”.

Ai ka kërkuar nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e konventës për të paktën deri të dielën e ardhshme. 

“Kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Ai tutje ka shkruar se kjo, siç e ka quajtur, nguti, nuk garanton garë cilësore, e as reformimin dhe unitetin e kërkuar e të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë. 

“Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët për PDK-në. Për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, kërkoj që procesi zgjedhor të shtyhet, në mënyrë që gara të hapet për të gjithë dhe baza të ketë kohën e duhur për të shprehur vullnetin e saj pa presion dhe pa imponime. Dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai ka thënë se është “kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët”.

“PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, ka shkruar Hoxhaj.

Të mërkurën e  kësaj jave, Memli Krasniqi, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së. 

Deri më tani Bedri Hamza e ka shpallur kandidaturën e tij për të marrë drejtimin e partisë. 

Çitaku pas kërkesës së Hoxhajt për shtyrje të Konventës: Statuti parasheh të mbahet brenda 5 ditësh

2 muaj më parë / 14 nën 2025 15:55 Nga: Valbona Bytyqi
Vlora Çitaku

Photo: Driton Paçarada

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Statuti i partisë parasheh që Konventa e jashtëzakonshme të mbahet brenda 5 ditësh. 

Në një përgjigje lidhur me kërkesën e anëtarit të Kryesisë, Enver Hoxhaj, i cili kërkoi që mbajtja e Konventës për zgjedhjen e kryeartit të ri, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga drejtimi i partisë, Çitaku ka theksuar se në mbledhjen e fundit të Kryesisë, pas dorëheqjes së kryetarit Memli Krasniqi, Kryesia vendosi të thërrasë Konventën e Jashtëzakonshme, e cila sipas saj, bazuar në nenin 35 të Statutit të Partisë, duhet të mbahet brenda pesë ditësh.

“Ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim garën e brendshme. Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me Statut është i mirëseardhur të kandidojë. Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka thënë se për secilin në PDK, qofshin në garë ose jo, “është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të unifikuar, me vizion të qartë dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e përgjithshme që na presin shumë shpejt”.

“Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Sepse beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës”, është shprehur Çitaku.