Arbëri

Hoxha: Ne s'i kemi kryer dy detyra pas lufte, nga to themelimi i një gjykate

eliza hoxha

Eliza Hoxha, përfaqësuese e platformës “Liria ka Emër”, ka thënë se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm si në qarqet ndërkombëtare ashtu edhe të brendshme për ta paraqitur historinë e luftës çlirimtare në mënyrën e duhur.

Ajo ka theksuar se pas luftës “nuk i kemi kryer detyrat e shtëpisë si shoqëri”, derisa ka treguar dy kryesore që është dashur të kryhen. Sipas Hoxhës, shoqëria deri tash është dukur sikur është mjaftuar me idenë e lirisë, çlirimit dhe pavarësisë.

“Ato janë dy, e para një konsensus ku copëzat tona historike të kontribuojnë te kush më pak e kush më shumë vijnë në një mozaik të përbashkët dhe pajtohemi që kjo është fotografia jonë historike deri në çlirimin e Kosovës. E dyta, çdo vend pas luftës mundohet të bëjë edhe një gjykatë të veten ku bazuar në normat juridike ndërkombëtare të krijojë mundësinë e profilit dhe pastërtisë të asaj lufte”, ka thënë ajo në “Konfront”.


Hoxha: Njeriu që na shërbente kafe në Hagë ishte hetues

Përfaqësuesja e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha, ka thënë se procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë ka qenë shumë i kontaminuar por edhe i paqartë. Hoxha ka thënë se ka qenë proces që është përcjellë me shumë anomali.

Në emisionin “Konfront” në KTV, ajo ka theksuar se një person i cili iu ka shërbyer kafe kur i kanë vizituar Thaçin dhe të tjerët, më vonë të njëjtin e kanë parë te trupi gjykues.

“Për mua procesi është shumë i kontaminuar dhe i paqartë. Në një diskutim që e kemi pasur kur i kemi takuar tetë të burgosurit atëherë përfshirë edhe Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin përveç Salih Mustafës që nuk na kanë lejuar ta takojmë, një pyetje ka qenë: pse duhet të jetë Kadri Veseli këtu përderisa në lëndën që ata brenda kanë parë nuk përmendet askund. Tjetra ka qenë anomalitë kur sheh një person i cili ka qenë i njëjti që na ka shërbyer kafe dhe në një moment tjetër ti e sheh të njëjtin në gjykatë në një rol tjetër, ai që ka qenë roje. Pastaj i njëjti është te trupi gjykues”, ka deklaruar Hoxha.

Hoxha ka thënë se nga Gjykata Speciale janë interesuar edhe për personat që kanë organizuar protesta në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së. Sipas Hoxhës ata i kanë vlerësuar si nxitje të popullit thirrjet për protestë.

“Kemi pasur selame prej atje që kush janë këta njerëz, CV-të e tyre, po e nxisin popullin. Pra shiheni deri ku ka shkuar qasja e tyre. Cili është sikleti i një gjykate që të shkojë të mbajë ligjërata në shkolla para disa fëmijëve që janë duke u rritur. Një ligjëratë të tillë le ta bëjnë te studentët e Fakultetit Juridik”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës për nga brenda si parti ka “mbijetuar mirë” marrë parasysh punën për atë që është kërkuar nga Haga.

“PDK-ja edhe politikisht si parti ka mbijetuar mirë sepse ka operuar me gjysmë baterie, komplet një pjesë e madhe e njerëzve ka punuar dhe sistemuar gjëra për të cilat është kërkuar nga trupa mbrojtëse në Hagë”.


Ukshini: Vetëvendosja më radikale se PDK-ja për Gjykatën Speciale

Ish-diplomati Sylë Ukshini ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje në pushtet ka pasur qëndrim më radikal ndaj Gjykatës Speciale sesa Partia Demokratike e Kosovës në opozitë.

Ukshini u shpreh se ka pritur që PDK-ja të kishte një qasje më të ashpër ndaj kësaj çështjeje, por sipas tij, realiteti ka qenë i kundërt.

“Kam pritur që PDK-ja të jetë më radikale. Më radikale ka qenë LVV-ja në pushtet sesa PDK-ja në opozitë”, ka deklaruar ai në “Konfront” të KTV-së.

Ai theksoi se çështja e Gjykatës Speciale është dashur të ngrihet në nivel evropian, përfshirë në Parlamentin Evropian dhe në adresë Kaja Kallasit. Sipas Ukshinit, thirrjet për rikthimin e besimit në Bashkimin Evropian nuk janë të mjaftueshme dhe nuk pasqyrojnë realitetin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së.

“Nuk mjafton të thuash ta rikthejmë besimin e BE-së. Cilin besim? BE-ja të ka mashtruar”, u shpreh Ukshini, duke shtuar se mënyra se si është trajtuar Kosova nga BE-ja në lidhje me Gjykatën Speciale duhet të shërbejë si orientim për qasjen ndaj çështjeve të tjera të ndjeshme politike.


Koci: Thaçi u arrestua nga Smith, për t'ia pamundësuar Trumpit një fitore diplomatike

Ish-kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Melazim Koci, duke iu referuar propozimit të Prokurorisë së Speciales që ish-krerëve të UÇK-së t’iu shqiptohen nga 45 vjet burgim, ka thënë se Kosova është instrumentalizuar në një betejë të brendshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Koci në emisionin “Konfront” në KTV, thekson se është dëshmuar që ish-presidenti Hashim Thaçi është arrestuar nga prokurori Jack Smith për t’ia pamundësuar presidentit Donald Trump një fitore diplomatike.

“Arrestimi i Hashim Thaçit është bërë pas akuzës që e ka bërë Jack Smith për të cilin njerëz të afërt të presidentit Trump thonë se ka qenë ballafaqim me Thaçin në mënyrë që t’i pamundësohet një fitore diplomatike presidentit Trump. Më vonë kjo u dëshmua sespe është tërhequr Jack Smith në Amerikë, ka filluar hetimet ndaj presidentit Trump dhe tani ai është i ndjekur nga organet hetuese të Amerikës”, ka deklaruar Koci.

Koci ka theksuar se kjo bazohet edhe në atë që një zyrtar amerikan, i ka thënë Thaçit që “pas lirimit duhet t’i padisësh persona të caktuar të Gjykatës Speciale në Gjykatë Amerikane".


Ukshini: Carla Del Ponte dhe Dick Marty janë antiamerikanë dhe antishqiptarë

Ish-diplomati Sylë Ukshini ka thënë se Carla Del Ponte dhe Dick Marty janë antiamerikanë dhe antishqiptarë. 

Del Ponte ishte kryeprokurore e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë. 

Ish-senatori zviceran Dick Marty më 2010 ka qenë autor i raportit për Këshillin e Evropës, në të cilin ai ka dënuar krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”. Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte. Marty vdiq në vitin 2023. 

Ukshini ka thënë, duke iu referuar disa shkrimeve, se Del Ponte në Beograd në vitin 2003 u kishte thënë autoriteteve serbe të bashkëpunojnë për Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mladiqin, dhe ajo “do të jetë i gatshme t’ia plotësojë dëshirën Serbisë e t’i akuzojë njerëzit e UÇK-së”. 

“Unë mendoj se Carla del Ponte e Dick Marty kanë dy elemente: janë antiamerikanë dhe antishqiptarë”, tha Ukshini në “Konfront” të KTV-së. 

Ukshini ka thënë se është diçka e madhe shumë kundërthënëse. 

“Nëse në Tribunalin e Hagës u tha se Ushtria serbe është ndërmarrje kriminale, nuk mundesh që palën tjetër që e ka luftuar ndërmarrjen kriminale ta quash po ashtu ndërmarrje kriminale 25 vjet pas luftës. Pasi nëse nisemi në këto premisa i bie që në vitin 1972 në Nurnberg të dënoheshin krerët e koalicionit anti-Hitlerian e jo njerëzit e Hitlerit”, ka thënë Ukshini. 


Hoxha: Gjykata Speciale po shkel edhe normat ndërkombëtare

Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka deklaruar se Gjykata Speciale ka kryer një sërë shkeljesh të legjislacionit vendor dhe ndërkombëtar në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas Hoxhës, shkeljet përfshijnë Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe ligje dhe norma të tjera juridike ndërkombëtare. Ajo ka theksuar se një nga problemet kryesore lidhet me kohëzgjatjen e procesit dhe masën e paraburgimit.

“Kanë qëndruar dy vjet më shumë në paraburgim, gjë që nuk korrespondon me asnjë normë juridike. Kjo përbën shkelje serioze të të drejtës për një proces të rregullt dhe brenda një afati të arsyeshëm”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo ka shtuar se edhe pas nisjes së procesit të rregullt gjyqësor në vitin 2023, mbrojtja ka kërkuar në disa raste që të akuzuarit të mbrohen në liri, kërkesë që sipas saj u takon me ligj dhe me standardet juridike ndërkombëtare.

Hoxha theksoi se Kosova është garantuese e Gjykatës Speciale, pasi e ka themeluar atë, por megjithatë këto kërkesa nuk janë marrë parasysh asnjëherë.

“Kjo është një nga shkeljet që po ndodh në këtë proces”, u shpreh ajo.

Platforma “Liria ka Emër” do të organizojë marsh në ditën e Pavarësisë, më 17 shkurt, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Së fundmi, Prokuroria e Speciales ka kërkuar 180 vjet burgim për katër të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.