Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj presidentes Vjosa Osmani, duke e akuzuar për hipokrizi lidhur me qëndrimin e saj ndaj Marrëveshjes së Washingtonit.
Hoti, përmes një shkrimi në Facebook ku ka bashkangjitur dy deklarata të presidentes, njërën në vitin 2021 dhe tjetrën në vitin 2025, ka thënë se Osmani dikur e konsideronte marrëveshjen si “cenim të rendit kushtetues” dhe “rrezik për shtetin”, ndërsa tani – pesë vite më vonë – e quan atë “marrëveshje të mirë” dhe madje pretendon se është zbatuar.
“Asgjë e re nga Osmani, vetëm hipokrizi e radhës! Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme. Kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhet më i rëndësishëm se interesi shtetëror”, ka shkruar Hoti.
Ai shtoi se as Osmani dhe as kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk e kanë zbatuar Marrëveshjen e Washingtonit, përkundrazi – sipas tij – e kanë luftuar vazhdimisht dhe tani po përpiqen ta përvetësojnë, duke u përshtatur me ndryshimet politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ky është kulmi i mashtrimit politik”, përfundoi Hoti.
Marrëveshja e Washingtonit ishte nënshkruar më 4 shtator 2020 në prani të presidentit amerikan Donald Trump, mes Kosovës dhe Serbisë, duke synuar normalizimin ekonomik ndërmjet dy vendeve. Kosova përfaqësohej nga asokohe kryeministri Avdullah Hoti ndërsa Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiq.