Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka kërkuar ndryshimin e rregullores së re për sistemimin e vendeve të punës në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Në një letër drejtuar ministrit në detyrë të Drejtësisë, Selim Selimi, Hoti ka njoftuar ministrin se ka pranuar kërkesën e IML-së për vlerësimin e ligjshmërisë së rregullores dhe se bazuar në të, Zyra Ligjore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka vënë re se ajo s’është në përputhje me Ligjin për Mjekësinë Ligjore.
Tutje në letrën të cilën e ka siguruar KOHA, Hoti ka kërkuar që të bëhet plotësimi dhe ndryshimi i rregullores dhe që brenda 10 ditë punësh të njoftohet për veprimet e ndërmarra.
Të mërkurën KOHA raportoi se si një pjesë e stafit të këtij instituti po kundërshton rregulloren e re, me arsyetimin se ka degraduar strukturën ekzistuese duke i rrezikuar edhe proceset e ndryshme, sikurse është çështja e personave të zhdukur.
Një pjesë e stafit e ka ndërprerë edhe komunikimin me drejtorin e Institutit. Sipas tyre, shuarja e pozitave udhëheqëse dhe profesionale, si dhe riemërimet janë bërë me vendime abuzive nga ana e drejtorit si hakmarrje ndaj zyrtarëve të Institutit. Por drejtori Arsim Gërxhaliu ka mohuar akuzat, duke thënë se ndryshimet janë bërë me rekomandim të Bashkimit Evropian dhe se nuk kanë për qëllim largimin e askujt nga puna.