Dëshmitari Christopher Hill ka mohuar t’i ketë thënë mbrojtjes së Hashim Thaçit se refuzon që të jap dëshmi për Prokurorinë.
Fillimisht, prokurori James Pace, tha se më 13 tetor 2025, mbrojtja e Thaçit e kishte informuar Prokurorinë që Hill nuk donte të jepte intervistë për ZPS-në.
Prokurori tha se një mesazh përmes postës elektronike i është dërguar mbrojtjes nga Prokuroria për ta pyetur dëshmitarin nëse ishte i gatshëm që t’iu jepte atyre intervistë.
Pace kërkoi një përgjigje se pse ishte ky pozicion i dëshmitarit. Por, dëshmitari mohoi se është pyetur nga mbrojtja për një gjë të tillë.
“Nuk më kujtohet, nuk e di. Nuk mendoj kështu. Mua më ka kërkuar mbrojtja e Thaçit dhe më ka pyetur se në qoftë se do të jap dëshmi dhe për të diskutuar në qoftë se do isha i gatshëm për të dhënë informacionin që dija për këtë gjyq”, tha Hill.
Dëshmitari u pyet për atë se si siç po kuptohet mbrojtja nuk iu ka thënë asgjë që Prokuroria ishte e interesuar që të merrnin Hill në intervistë.
“Nuk më kujtohet të më jetë bërë një pyetje e tillë sepse sigurisht që do isha i përgatitur që t’ju jepja përgjigje ose intervistës me pyetje që mund të kishte”, tha Hill.
Përveç kësaj, ai tha se nuk i kujtohet që Ibrahim Rugova t’i ketë folur lidhur me kërcënime, sulme e rrëmbime që pretendohet se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së. Por, ai tha se i kujtohen persona të tjerë që kanë shprehur shqetësime lidhur me sigurinë e Rugovës.
Në anën tjetër, dëshmitari tha se nuk i kujtohet emri i Cen Deskut dhe as ai i Jakup Kastratit./Betimi për Drejtësi
Hill: S’kam informacion për raportimin e brendshëm të UÇK-së ose për shërbime të intelegjence
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të martën, dëshmitari Christopher Hill tregoi se nuk ka informacione për raportimin e brendshëm të UÇK-së.
“Jo, nuk kam informacion lidhur me sistemin e raportimit brenda UÇK-së. Sigurisht që SHBA-të kishin mundësi ose aftësi që të gjenin strukturat e UÇK-së. Unë personalisht nuk kam informacion sa i takon sistemit të brendshëm të UÇK-së”, tha Hill,
Ndërkaq, kur u pyet për Kadri Veselin, tha se “Nuk e di në qoftë se këtë emër e kam dëgjuar atëherë apo më vonë”.
Ai gjithashtu tha se nuk ka njohuri për sistemin e raportimit brenda UÇK-së.
Dëshmitari Hill u pyet edhe në rast se kishte ndonjë informacion për struktura të intelegjencës ose të shërbimit të Zbulim-Kundërzbulimit.
“Mendoj që duhet të ketë pasur një sistem të tillë por nuk kam ide, nuk kam këtë informacion”, tha dëshmitari.
Hill gjithashtu tha se takimi i parë në mes tij dhe Rexhep Selimit kishte ndodhur me 1998-ën në Likoc, takim për të cilin dëshmoi në këtë seancë./Betimi për Drejtësi
Hill për James Rubin: Ai ishte në favor të Thaçit që të bëhej udhëheqës i Kosovës
Ish-diplomati amerikan Christopher Hill u pyet në Hagë lidhur me një deklaratë për James Rubinin dhe qasjen që ky i fundit kishte ndaj Hashim Thaçit gjatë kohës së Marrëveshjes së Rambujesë.
Dëshmitari kishte thënë për James Rubinin se kaq larg shkoi në diskutimet e veta sa rekomandoi edhe kostumin edhe kravatën që duhej të mbante Thaçi.
“Kjo është në përputhje me mendimin tim që ai ishte në favor të Thaçit që të bëhej udhëheqës i Kosovës”, tha Hill.
Në anën tjetër, dëshmitari tha se Thaçi dhe Jakup Krasniqi kanë qenë pjesëmarrës në Rambuje dhe dëshironin që njëri prej tyre të nënshkruante Marrëveshjen.
“Thaçi dhe Krasniqi kanë qenë pjesëmarrës në Rambuje, prandaj ka qenë e rëndësishme për ne, që të nënshkruhej prej tyre”, tha Hill ndër tjerash.
Dëshmitari foli edhe për një takim në mars të 1999-ës. Ai pohoi se në këtë takim ishte Sokol Bashota, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja ku është diskutuar nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë.
Avokati Luka Mishetiq i cili përfaqëson Hashim Thaçin njoftoi se për momentin mendojnë se nuk do të kenë pyetje plotësuese për këtë dëshmitar.
Ndryshe, në fillim sesioni i pasdites u zhvillua në sesion privat. Kurse, kur u hap seanca, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se do të merret vendim nesër për ato çka u diskutuan në seancë private./Betimi për Drejtësi
Hill: Nuk e di nëse Thaçi ishte bashkëthemelues i UÇK-së
Chrisopher Hill tha në Hagë se nuk e di nëse Hashim Thaçi ishte një prej personave që e themeloi UÇK-në.
“Nuk e di nëse ai ka qenë një prej personave themelues të UÇK-së dhe fakti që unë nuk e kam hasur emrin e tij deri më vonë gjatë vitit më sugjeron se ai nuk ka qenë. Megjithatë, nuk jam në pozitë për ta konfirmuar ose jo një gjë të tillë”, tha ai.
Veç kësaj, dëshmitari tha se kishte dëgjuar që Thaçi ishte pjesë e Drejtorisë Politike të UÇK-së./Betimi për Drejtësi