Arbëri

Heroizëm në Zvicër, çifti shqiptar shmang tragjedinë në shtëpinë e të moshuarve

Ibrahim Selimi

Ibrahim Selimi (Foto: Blick)

Një zjarr që shpërtheu të dielën pasdite në një shtëpi të të moshuarve në Pfaffikon të kantonit Schwyz në Zvicër është shuar falë ndërhyrjes së shpejtë të një çifti shqiptar, duke parandaluar një tragjedi të mundshme, shkruan Blick.

Ibrahim Selimi (41 vjeç), pronar i një kompanie të mirëmbajtjes së pronave, po punonte bashkë me bashkëshorten Fatlinda Selimi (38), në pastrimin e borës pranë objektit, kur vuri re erën e djegies dhe më pas flakët që kishin përfshirë ballkonin e qendrës së kujdesit “Roswitha”.

Sapo e kuptoi rrezikun, Selimi njoftoi bashkëshorten dhe stafin e shtëpisë së të moshuarve, ndërsa ajo thirri menjëherë Policinë. Në të njëjtën kohë, ai u përpoq fillimisht ta shuante zjarrin me borë, por pa sukses. Më pas, duke vepruar me shpejtësi, mori një gyp uji nga automjeti i tij dhe, me ndihmën e bashkëshortes që hapi rubinetin, arriti ta shuante zjarrin para se të arrinin zjarrfikësit.

Pamjet e regjistruara tregojnë edhe momente paniku, teksa banorët e objektit dalin në ballkone, ndërsa familjarët dhe stafi i paralajmërojnë të futen brenda për shkak të tymit dhe flakëve.

VIDEO

Zjarrfikësit e Pfaffikonit dhe ekipet e emergjencës mbërritën pak minuta më vonë. Sipas policisë, disa persona u kontrolluan në vendngjarje për shkak të ekspozimit ndaj tymit, ndërsa dy gra, të moshës 45 dhe 61 vjeç, u dërguan në spital për vëzhgim mjekësor.

Autoritetet kanë nisur hetimet për shkaqet e zjarrit, ndërsa dyshohet se është shkaktuar nga një cigare e ndezur. Drejtori i shtëpisë së të moshuarve ka falënderuar publikisht çiftin Selimi për reagimin e shpejtë dhe veprimet e kujdesshme, duke theksuar se është parandaluar një situatë shumë më e rëndë.

Edhe pse veprimi i tij u cilësua vendimtar, Ibrahim Selimi nuk e konsideron veten hero.

“Bëra vetëm atë që duhej bërë. Nuk dua as ta mendoj çfarë do të kishte ndodhur nëse zjarri do të përhapej”, ka thënë ai, duke shtuar se më e rëndësishmja është që të gjithë banorët janë të sigurt.