Arbëri

Hehir: BE-ja të ketë qasje më të ashpër ndaj Serbisë

Aidan Hehir

Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për stabilitet politik dhe ekonomik, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Westminster në Angli, Aidan Hehir. Ai thekson se formimi i institucioneve të reja në Kosovë duhet të bëhet sa më parë nga partitë politike që, siç thotë ai, duhet të vendosin interesin kombëtar mbi interesat partiake.

Kosova, e cila ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, ende nuk ka zgjedhur institucionet e reja.

Deputetët janë betuar, por procesi i konstituimit të Kuvendit ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje – partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po arrin të sigurojë numrat për votimin e kandidatit të tyre për kryeparlamentar.

“Ajo që është e rëndësishme për Kosovën në këtë moment është ta kuptojë se, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane në përgjithësi po rishikojnë angazhimet e tyre në politikën e jashtme, kjo ka pasoja të mëdha për Kosovën. Prandaj, Kosova ka nevojë për një qeveri të fortë dhe stabile për të përballuar katër vitet e ardhshme që do të jenë shumë të vështira. Për aq kohë sa [Donald] Trump është në pushtet në SHBA, situata do të jetë shumë e ndërlikuar. Zoti e di çfarë do të vendosë ai nesër kur të zgjohet. Pra, nga ky këndvështrim ndërkombëtar, nevojitet një qeveri e fortë. Por, nga këndvështrimi i raportit me Bashkimin Evropian, nuk mendoj se ka ndonjë ndikim real. Bashkimi Evropian ka poshtëruar veten në Kosovë. Sanksionet që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës janë një fyerje ndaj demokracisë, një fyerje ndaj dinjitetit – gjëja e fundit që Kosova e meriton. Një periudhë e gjatë pa qeveri nuk duket aspak mirë. Ajo vetëm sa i forcon pozitat e armiqve të Kosovës, në veçanti Serbisë. Prandaj, sa më shpejt të zgjidhet kjo çështje, aq më mirë”, thotë ai.

Ndërkohë, nga faktori ndërkombëtar janë shtuar thirrjet për formim të shpejt të institucioneve të reja.

Vetë shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, më 22 maj, u bëri thirrje politikanëve që janë në Kuvend që të bashkëpunojnë për të zhbllokuar situatën. Në një konferencë për media në Prishtinë, Kallas kujtoi se formimi i institucioneve të reja është “thelbësor për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Kosovës”.

Kallas, gjithashtu, njoftoi se ka nisur heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ishin vendosur në verën e vitit 2023.

Profesori Aidan Hehir thotë për Kosovapress, se këto masa nuk do të duhej të vendoseshin asnjëherë.

Sipas tij, ka “vetëm një fajtor në këtë rajon që duhet të sanksionohet - Serbia”.

“Kjo është një nga episodet më të turpshme në historinë e BE-së – vendosja e këtyre masave të ashtuquajtura emergjente, ose si do që t’i quajnë. Nuk kishte asnjë arsye për to. Duhet të hiqen menjëherë. Ajo mund t’i heqë që nesër. Ideja që do të hiqen gradualisht është qesharake. Aktualisht ka një potencial real për konflikt në Ballkanin Perëndimor – si në Bosnje, ashtu edhe në Kosovë. Dhe shkaku i përbashkët i këtij konflikti është nacionalizmi agresiv serb. Kosova po përballet me këtë nacionalizëm agresiv – si nga Beogradi, ashtu edhe në komunat veriore të Kosovës. Kosova nuk ka nevojë për sanksione. Kosova ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare. Kosova duhet të jetë ajo që BE-ja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe e shohin si një aleat të rëndësishëm, si një burim stabiliteti në rajon. Një Kosovë e pavarur nuk kërcënon askënd. Një Kosovë e pavarur është në të mirë të stabilitetit rajonal. Ajo që e kërcënon stabilitetin rajonal është nacionalizmi agresiv serb. Dhe ajo që BE-ja, SHBA-ja, Britania dhe fuqitë e tjera kanë bërë në 10 vitet e fundit është një politikë pajtimi ndaj Vuçiqit – i kanë lejuar atij të krijojë një shtet të kapur, një regjim autoritar që njihet ndërkombëtarisht si i tillë – dhe të nxisë paqëndrueshmëri, të mbjellë tensione në Bosnje, në Kosovë, por edhe në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ka vetëm një fajtor të qartë në këtë rajon që duhet të sanksionohet dhe ndaj të cilit BE-ja duhet të ndërmarrë një qasje shumë më të ashpër, më të qëndrueshme – dhe kjo është Serbia. Kosova nuk duhet të jetë askund afër listës së vendeve nën sanksione. Këto masa janë një turp dhe duhet të hiqen menjëherë”, thotë ai.

Derisa flet për veprimet e Serbisë, profesori Aidan Hehir thotë se blloku po e lë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pa pasoja.

“Nuk është befasi që kjo [sulmet në veri] ka ndodhur përsëri. Rënia e Jugosllavisë u shkaktua kryesisht, jo ekskluzivisht, por kryesisht nga nacionalizmi agresiv serb. Njerëzit që ishin të përfshirë në vitet 1990 janë ende të përfshirë sot në Beograd. Pra, nuk është befasi që ata vazhdojnë të angazhohen në këtë lloj retorike, që vazhdojnë të përkrahin Rusinë. Vuçiq kohët e fundit shkoi në Moskë për paradën e fitores, dhe u paralajmërua paraprakisht nga Bashkimi Evropian që nuk duhej të shkonte. Ai shkoi, dhe çfarë ndodhi? Asgjë shumë. Ai ka mundur të dalë pa u ndëshkuar për këtë lloj sjelljeje për kaq gjatë. Dhe në çdo rast, në 2012, 2013, 2014, ai e ka shtyrë pak më tej kufirin, pak më tej, pak më tej, për të parë çfarë mund të shpëtonte. Dhe në çdo fazë, Bashkimi Evropian e lejoi atë të shpëtonte pa pasoja për këto veprime. Dhe sigurisht, kjo do të thoshte se situata do të përshkallëzohej në mënyrë të pashmangshme drejt një kryengritjeje të armatosur në shkallë të plotë, që është ajo që ai u përpoq të bënte dhe vazhdon ende ta bëjë. Vazhdimisht po zbulohen depo armësh mes nacionalistëve serbë në veri të Kosovës”, thotë Hehir.