Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu: Rivarrimi i Sinanit na obligon të mos e harrojmë kurrë historinë tonë

Albulena Haxhiu - Sinan DAuti

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se rivarrimi i Sinan Dautit, që ishte zhdukur gjatë luftës në Kosovë ende pa i pasur as 9 vjet, është obligim që Kosova të mos e harrojë kurrë historinë e vet.

Në varrezat e lagjes Bregaj në Prekaz të Epërm të shtunën Sinan Dauti u rivarros, pasi eshtrat e tij u gjetën në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë. Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, 8-vjeçari më 12 prill 1999 u plagos rëndë nga forcat serbe dhe dy ditë më pas vdiq në Mitrovicë, si pasojë e plagëve, ndërsa përgjatë viteve familja nuk kishte asnjë informacion për fatin dhe vendndodhjen e tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Sinani ishte vetëm 9 vjeç, një fëmijë që duhej të rritej mes lojës, shkollës dhe ëndrrave për të ardhmen. Por, jeta e tij u ndërpre në mënyrë tragjike në ditët më të errëta të luftës në Kosovë. Më 12 prill 1999, në lagjen Bregaj të Prekazit, gjatë sulmeve dhe granatimeve të forcave serbe, Sinani u plagos rëndë. Pas largimit me forcë të familjes së tij nga fshati, ai u dërgua fillimisht në spitalin e Skenderajt, e më pas edhe në spitalin e Mitrovicës ku edhe ndërroi jetë. Sikur të mos mjaftonte vrasja e tij edhe trupi i tij u zhduk”, ka thënë Haxhiu. “Sot nuk jemi këtu vetëm për një rivarrim. Jemi këtu për të nderuar kujtimin e tij dhe për të kujtuar 1392 fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë, si dhe të gjithë civilët e pafajshëm që humbën jetën në atë periudhë të rëndë. Këto dëshmi janë të dhimbshme që mbeten pjesë e historisë sonë dhe e kujtesës sonë kolektive. Kjo ngjarje na kujton çmimin e madh të lirisë që populli ynë ka paguar. Kjo ngjarje na obligon të mos harrojmë kurrë historinë tonë”.

Haxhiu ka thënë se kujtimi i Sinanit mbetet thirrje e përhershme për përgjegjësi, por edhe për drejtësi, një thirrje që asnjë familje tjetër të mos kalojë një dhimbje të tillë.

Lexo përditësimet tjera
sinan dauti

Rivarroset Sinan Dauti, i zhdukur gjatë luftës kur kishte veç 8 vjet

Është rivarrosur 8-vjeçari Sinan Dauti, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë kur ende s’i kishte mbushur...