Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu përfaqëson Kosovën në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Mal të Zi më 5 qershor

Bashkimi Evropian - Flamuri i BE-se

Foto: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, pritet ta përfaqësojë Kosovën në samitin e radhës të liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, i cili më 5 qershor zhvillohet në qytetin bregdetar Tivat të Malit të Zi. Se ftesa i është dërguar Haxhiut dhe liderëve të vendeve tjera të rajonit e kanë thënë burimet brenda BE-së në Bruksel.

Samitet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor tashmë janë bërë të rregullta dhe ato shërbejnë si platformë për dialog strategjik mes tyre dhe për përafrimin e rajonit me Bashkimin Evropian. Samiti i fundit ishte zhvilluar në Bruksel. Është bërë tashmë traditë që një herë samiti të zhvillohet në BE, ose në Bruksel ose në shtetin i cili e ka kryesimin e radhës, dhe një herë në një vend të rajonit. Një samit i tillë ishte zhvilluar edhe në Tiranë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor e kishte bojkotuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa tash nuk dihet nëse Serbia do të marrë pjesë në të apo jo.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka biseduar në fundjavë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, duke thënë se një prej temave të diskutimeve ka qenë edhe samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor në Tivat. Në pyetjen se a ka biseduar Von der Leyen edhe me ndonjë lider tjetër të rajonit për këtë temë, apo kjo është vetëm një privilegj që gëzon Aleksandar Vuçiq, zëdhënësja Pinho ka thënë se “nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen presidentja von der Leyen të ketë bisedime edhe me liderët tjerë të rajonit”.

Ky samit do të jetë me rëndësi të veçantë edhe për vendin mikpritës, Malin e Zi, i cili feston 20-vjetorin e pavarësisë dhe është vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.